Administrata, Harito: Ja skema
e rekrutimit për vendet e lira

Administrata, Harito: Ja skema<br />e rekrutimit për vendet e lira
TIRANE- Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur në lidhje me skemën e rekrutimit të nëpunësve në administratën publike dhe risitë që ka sjellë qeverisja e re e drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Ajo nuk ka munguar të shprehet se Departamenti i Administratës Publike tashmë do të jetë pranë kryeministrisë dhe në varësi të ministrisë të cilën ajo drejton, por që për vetë reformat që janë ndërmarrë në të gjitha dikasteret do t’i nënshtrohet sipas kësaj logjike dhe vetë DAP reformës, për t’iu përshtatur angazhimeve të reja ligjore.

Harito nuk ka munguar që të deklarojë skemën e rekrutimeve në administratë, duke u përshtatur me ligjin e ri për administratën publike, por që ka dhe ky element risitë e veta. Risi që nisin me krijimin e një bazë të plotë të dhënash, përmes të cilave dhe është dëguar informacion në lidhje me mënyrën se si duhet të aplikojnë për një vend të lirë në administratën publike, për të dhënë kontributin në këtë reformim në tërë administratën shqiptare. Për pozicionet me kërkesa specifike, përzgjidhen CV e përshtatshme nga institucionet përgjegjëse e lajmërohen personat për pozicione të lira.

Njëherësh në çdo rast kandidatët vendosin vetë nëse pozicionet ju përshtaten ose jo e kandidojnë sipas procedurave të përcaktuara në ligj, ashtu si dhe çdokush tjetër që nuk është regjistruar në bazën e të dhënave mund të kandidojë. Harito ka saktësuar dhe mënyrën se si mund të jetë e matshme puna në administratën publike, të cilat janë të përcaktuara saktësisht në ligj.

Në lidhje me faktin nëse do të ketë ndryshme për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Aktin Normativ për Nëpunësin Civil, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike shprehet se do të pritet zbardhja e vendimit nga kjo Gjylatë, në mënyrë që të operohet më tej. Ajo flet dhe për rritjen e transparencës, implementimin e projektit madhor të pajisjes së nxënësve të shkollave të mesme me kompjutera individualë-tableta, duyke nënvizuar nevojën e përmirësimit të aksesit Internet Broadband në të gjithë Shqipërinë.
 
Rekrutimet në Administratën Publike kryhen përmes Departamentit të Administratës Publike, strukturë kjo e cila aktualisht është pjesë e Ministrisë së Brendshme. A do të vazhdoje të jetë DAP pjesë e kësaj ministrie dhe cilat pritet të jenë reformat që do të ndërmerren në këtë departament?
Departamenti i Administratës Publike ka kaluar pranë  Kryeministrisë dhe në strukturën e qeverisë tonë është në fushën e përgjegjësisë të Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. DAP është sot një strukturë me 22 vetë së cilës do t’i duhet të përmbushë shumë detyra pas shtrirjes së efekteve të ligjit të ri të nëpunësit civil në prill 2014. Do t’i duhet të menaxhojë edhe një numër shumë më të madh institucionesh e punonjësish, të cilët fitojnë statusin e nëpunësit civil. Ndaj llogjikisht vetë Departamenti i Administratës Publike do të duhet të reformohet për t'ju përshtatur përgjegjësive të reja.
 
Pretendentët për t’u rekrutuar kanë dërguar CV-të për në administratë? Keni kontaktuar me ta dhe cila do të jetë e ardhmja e këtij databaze-i?
Baza e të dhënave që kemi ndërtuar është një pasuri e vërtetë kombëtare. Asnjë komb nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme në botën e sotme që është bota e dijes, nëse nuk investon në burimet e veta njerëzore. Personave që kanë dërguar CV nëpërmjet kësaj baze të dhënash, iu kemi dërguar informacion për mënyrën se si duhet të aplikojnë për pozicionet e lira të punës në website e DAP.

Gjithashtu për pozicione me kërkesa specifike, përzgjidhen CV e përshtatshme nga institucionet përgjegjëse dhe lajmërohen personat për pozicione të lira. Por në çdo rast kandidatët vendosin vetë nëse pozicionet ju përshtaten ose jo dhe kandidojnë në to sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Ashtu si edhe çdokush tjetër që nuk është regjistruar në bazën e të dhënave mund të kandidojë.
 
Eshtë folur për matjen e nivelit të performancës të administratës aktuale. Si do bëhet?
Ligji parashikon parimin e përgjithshëm të vlerësimit të performancës së nëpunësve civilë. Për ta implementuar sa më mirë në praktikë jemi duke punuar që të përcaktojmë kritere dhe mekanizma sa më objektivë.
 
Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim, i cili ndonëse nuk është bërë zyrtarisht publik, as nuk është zbardhur por që me rezultatin 5 me 4 është rrëzuar akti normativ për “Nëpunësin Civil” që shtynte zbatimin e ligjit me 1 prill të këtij viti. Si do veprohet tashmë, kur në këtë periudhë janë marrë reforma, dhe në administratën publike?
Të presim zbardhjen e vendimit dhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese e pastaj do të mund të përgjigjemi.
 
Cilat janë proceset e para që pritet të përmirësohen në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në vend?
Kemi një sërë projektesh për të rritur transparencën e punës së ministrive, transparencën e shpenzimeve buxhetore si edhe shërbimet online për qytetarët. Kemi gjithashtu projektin madhor të pajisjes së nxënësve të shkollave të mesme me kompjutera individualë-tableta. Na duhet të përmirësojmë aksesin Internet Broadband në të gjithë Shqipërinë si një mjet i fuqishëm për rritje ekonomike...shumë e shumë projekte.
 
Ministri paraardhës është akuzua për tenderime të kontestueshme dhe procese me probleme siç është ai i dixhitalizimit të transmetimeve televizive. Cili do të jetë qëndrimi juaj për këtë çështje dhe cili do të jetë roli i ministres së Inovacionit në këtë fushë?
Procesi që ju përmendni është ankimuar në gjykatë. Në këto kushte duhet të mësohemi që drejtësia duhet lënë të bëjë punën e vet dhe politika duhet të heshtë.


Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030

Raporti për klimën i Bankës Botërore: Diversifikimi dhe potenciali i erës do të bënin TEC Vlorën jo ekonomik përtej 2030