Nënkontraktorët e firmës “Mabco” vijojnë protestën e tyre tashmë prej rreth një jave përpara kantierit të aeroportit të Vlorës. Edhe këtë të hënë, nënkontraktorët nuk janë lejuar të hyjnë në brendësi të kantierit, ndërsa përpara ambienteve vijojnë të qëndrojnë forcat e sigurisë dhe efektivët e policisë, të cilët nuk lejojnë punonjësit të futen në zonën e punimeve.
Vetë nënkontraktorët e “Mabco” të Behgjet Pacollit kanë vijuar protestën e tyre paqësore, ndërsa janë ende në pritje të vendimit të gjykatës lidhur me situatën e krijuar. Ata shprehen se punimet e tyre janë kryer në masën rreth 90%, ndërsa ka mbetur shumë pak për t’u dorëzuar plotësisht. Kompania
Prej një jave ata nuk lejohen të hyjnë në kantier dhe deklarojnë se brenda ndodhen ende jo vetëm mjetet e punës, por edhe sendet e tyre personale, të cilat nuk kanë arritur t’i tërheqin. Nënkontraktorët theksojnë se do të vijojnë protestën, pasi pretendojnë se kanë mbetur të papaguar për punën e kryer gjatë dy muajve të fundit.
Më herët, për këtë situatë ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës, i cili ka theksuar se përplasjet mes dy firmave po pengojnë përfundimin e punimeve në aeroport.
“Çdo ditë vonesë ose bllokim përkthehet drejtpërdrejt në humbje ekonomike të matshme për operatorët turistikë, komunitetin lokal dhe buxhetin e shtetit. Pamundësia për të ofruar infrastrukturë ajrore funksionale në jug të vendit dëmton reputacionin kombëtar dhe dërgon mesazhe negative tek investitor e mundshëm”, tha Karakaçi.
Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.
Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.
Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Komente









Ne kete tymnajë qe eshte futur nga 2029-2030 kur Qeveria te futet ne BE do hapet dhe aeroporti ! Uroj te jem gabim
Përgjigju