Teksa qytetarët kanë ende disa orë kohë për të lidhur kontratën me ujësjellësin, bizneset kanë plot 27 ditë që po ndëshkohen për lidhje të paligjshme. Kërkesat e qytetarëve për vendosjen e matësve të rinj dhe lidhjen e kontratave me UKT kanë qenë të shumta, nisur kjo që nga njoftimi i këtij institucioni për kontrata të rregullta me ujësjellësin.

Zv. Drejtoresha e UKT, Evis Gjebrea tha për Report TV se qytetarët duhet të përfitojnë edhe sot për të formalizuar lidhjen me ujësjellësin, teksa shtoi se nga nesër do të fillojnë ndëshkimet. Që nga 1 shkurti, ujësjellësi ka regjistruar rreth 1600 kontrata.

Në rast se do të ketë një lidhje të jashtëligjshme në rrjetin tonë, një lidhje të dytë, një ndërhyrje në matës, kjo përbën shkelje penale. Ashtu si kemi vepruar me bizneset private do të shoqërohen në polici. Në rast se konsumatori rezulton debitor dhe nuk është paraqitur për të lidhur një aktmarrëveshje me ujësjellësin e Tiranës, atëherë menjëherë do t’i ndërpritet furnizimi me ujë derisa të paraqitet për paguar detyrime që ka në ngarkim

Sakaq, disa prej qytetarëve kanë pritur ditën e fundit për të lidhur kontratat e reja. “Kam ardhur për të lidhur një kontratë të re. Vij nga njësia administrative Zallherr dhe kam ardhur për të kryer veprimet se është fundi i muajit”. Po përse nuk e keni lidhur më parë këtë kontratë? “Nuk kam qenë këtu. Kam jetuar jashtë. Do marr një librezë se kam marrë shtëpi të re në 5 maj. Tani i kam përfunduar procedurat te hipoteka”.

Megjithatë, shumë prej tyre tregojnë se përpos formalizimit, ka ende problematika me ujësjellësin.

“Kam paguar një vit rresht lekët në bazë të kontratës, nuk figuroj në sistem. Ç’faj kam unë. Kam bërë ankesën në drejtori, tani do e dorëzoj sërish ankesën. Lidhja e kontratave për qytetarët do të vijojë deri në orën 20.00 të mbrëmjes së sotme”.

d.c./shqiptarja.com