Avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta kanë vijuar me bërjen publike të detajeve nga dosja hetimore e SPAK lidhur me cështjen CEZ-DIA, çështje për të cilën Meta akuzohet se ka përfituar shuma të mëdha parash.

Avokati Kujtim Çakrani për të faktuar pretendimin për pafajësinë e Metës, niset që nga data 1 shtator 2010, ditë kur është nënshkruar kontrata mes kompanisë çeke ÇEZ dhe kompanisë DIA, një partneritet i lidhur për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Çakrani thotë se në atë kohë, ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës ishte Dritan Prifti. Avokati thotë se emri i Ilir Metës nuk përmendet në asnjë komunikim që personat e implikuar në këtë çështje kanë shkëmbyer. Çakrani akuzon SPAK se akuzat e ngritura ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, janë bazuar në thashetheme dhe fakte të montuara politikisht.

Kujtim Çakrani thotë se hetimi për Metën lidhur me çështjen CEZ-DIA është bazuar mbi pretendime e thashetheme nga kallëzuesi në vitin 2017 avokati Romeo Kara. Duke nxjerrë pjesë nga dëshmi të këtij të fundit, Çakrani thotë se Romeo Kara nuk ka qenë prezent në asnjë episod dhe nuk ka informacion të drejtpërdrejtë për këtë çështje, por i referohet të thënave nga një palë e tretë.

“Dhe në të gjitha rrëfimet, pra në të gjithë kallëzimin e tij, zoti Kara i referohet shtetasit Ervis Mata. Dhe përsa i përket edhe ë lidhjeve të tij që ka patur zoti Meta me Kastriot Ismailaj, por edhe lidhjet e tij familjare e kështu me radhë, ai nuk i ka vetë të parë, por i ka referuar pasi i ka dëgjuar nga shtetasi Ervis Mataj. Madje ka arritur edhe kur thotë se Ervis Mata ka, disa herë më ka pohuar dhe ka parë se çfarë ka patur Iliri me Kastriotin. Pra referohet zotit Meta dhe Kastriot Ismailaj. Pasi disa herë kur babai i Ilirit, i quajtur Rexhep, kërkonte ta takonte Kastrioti, i fshihej apo i shmangej në forma të ndryshme. Ky fakt pohohet edhe nga bashkëshortja e Kastriot, e Kastriotit në intervistat e dhëna pra për zonjën Bozhana Ismailaj”, thotë Çakrani.

Më tej, Çakrani nxjerr dhe dëshmitë e burimit të informacionit për Romeo Kara, Ervis Mata, ku tregon se ky i fundit mohon që të ketë dijeni për ndonjë takim të mundshëm të babait të Ilir Metës me Kastriot Islamajt.

“Po çfarë thotë, çfarë thotë zoti Ervis Mata? Pra zoti Ervis Mata i pyetur pas deklarimit të zotit Romeo Kara para oficerit të policisë gjyqësore të kohës, deklaron se "Unë" thotë "me zotin Ilir Meta" thotë "jam njohur, jam njohur" thotë ai, kur e ka pyetur oficerët e policisë: "A jeni dijeni të njohjes me shtetasit Kastriot Ismailaj dhe babait të shtetasit Ilir Meta i quajtur Rexhep?"

"Pyetjen e dëgjova, e kuptova dhe kam për të thënë se nuk kam dijeni rreth njohjes apo ndonjë takimi të mundshëm mes shtetasit Kastriot Ismailaj dhe babait të shtetasit Ilir Meta i quajtur Rexhep Meta." Pra, do ta kuptojmë, unë po i përmend këto për të kuptuar rëndësinë e kallëzimit. Pra, një prokurori e posaçme merret me thashetheme, me një person i cili nuk ka qenë prezent, nuk ka informacion të drejtpërdrejtë, por thotë se i ka dëgjuar nga persona të tjerë”, tha Çakrani.

Avokati Kujtim Çakrani thotë se dhe Kastrios Ismailaj ka mohuar përfshirjen e Ilir Metës në këtë çështje. Duke thënë se Ilir Meta është një i burgosur politik, Çakrani shtoi se do të vijojë publikimi i dosjes në ngarkim të ish-presidentit.

Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontrata lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie. Dosja ndaj tij dhe ish bashkëshortes Kryemadhi, tashmë është kaluar në gjykim në themel dhe pritet hedhja e shortit.

__________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë