TIRANË - Shtyhet sërish seanca paraprake në GJKKO për aferën Partizani, që ka si protagonist ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Seanca e radhës u la për datën 20 janar. Pritet që gjyqtarja Flojera Davidhi të vendosë për kalimin ose jo për gjykim të dosjes Partizani. Seancën e sotme e nisur në orën 11:00, për 5 orë u krye vetëm mbrojtja e avokatëve të Berishës.
Gazetarja Keti Banushi informoi se seanca vijoi fillimisht me pretendimet e avokatëve mbrojtjës të Sali Berishës, ndërsa më pas ishin pretendimet e avokatëve mbrojtës të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi dhe të pandehurve të tjerë në këtë seancë. Gjithashtu ajo informon se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kërkuan pushimin e çështjes.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj pas mbarimit të seancës foli për gazetarët jashtë ambjenteve të SPAK, duke sqaruar pse është kërkuar pushimi i çështjes. Më tej tha se nuk do kërkohet gjykim i shkurtuar për Berishën, por në rast se dosja kalohet për gjykim do kërkohet pafajësia.
'Çështja e zotit Berisha nuk diskutohet çështja e gjykimit të shkurtuar. Ne shikojmë pushimin. Nëse do shkohet në gjyq do kërkojmë pafajësinë. Do shpjegojmë dhe pse nuk është detyra jonë, pafajësinë. E dini kërkesën e SPAK, të gjitha resh për resh që nga kallëzimi i rremë, biografia e pronës, pretenduan se ishte shpronësuar. Të gjitha kontestimet, të gjitha tentativat që zbuluan profilin politik të kësaj çështjeje. Është shumë voluminoz. Prandaj zgjati dhe kaq kohë për të shpjeguar me detaje pse kjo çështje nuk duhet çuar për gjykim', thotë Gjokutaj.
Ata kërkojnë pushimin e çështjes me argumentin se nuk ka vepër penale. Ndërkohë SPAK kërkon kalimin e dosjes për gjykim në GJKKO. Nëse gjyqtarja Flojera Davidhi do të kalojë dosjen për gjykim, të pandehurit nuk do të pranojnë gjykim të shkurtuar por një proces normal.
Në seancë Berisha dhe Malltezi u përfaqësuan nga avokatët.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Lajmi ne perditësim...