Edhe Shqipëria preket nga urdhrat e fundit të Presidentit amerikan Donald Trump. Shtëpia e Bardhë publikoi urdhrin ekzekutiv të Trump që pezullon programin e pranimit të refugjatëve në SHBA dhe ai hyn në fuqi në 27 janar.

Urdhri ndërpret në mes rrugëtimin dhe ëndrrën amerikane të afganëve të larguar nga Afganistani pas kthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021. Qindra prej tyre janë në Shqipëri të strehuar në Shëngjin dhe Durrës.

Mijëra refugjatë afganë kanë ngecur në vendet që i pranuan me kërkesë të administratës Biden, mes tyre edhe Shqipëria në pritje prej 4 vjetësh të vizave SIV  për të udhëtuar drejt SHBA. Administrata e Joe Biden u kishte premtuar se do të jetonin në SHBA si pjesë e një programi humanitar pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në 2021, program i pezulluar nga presidenti Donald Turmp ne 20 janar.

Një parashikim për këtë vendim e shprehu edhe kryeministri Edi Rama në konferencë me homologen italiane Meloni, kur tha se në Shqipëri kanë mbetur edhe rreth 350 afganë, por Shqipëria u hapi derën dhe mori përsipër riskun që të mbesin në vendin tonë dhe nuk do t’i hedhë në rrugë.

Urdhri ekzekutiv i Trump për pezullimin e programit amerikan të refugjatëve mund të lërë në harresë të paktën 2,000 afganë, që kishin marrë miratim për t'u zhvendosur në SHBA.

Reagime të shumta shpërthyen nga organizatat afagane se SHBA u detyrohet një borxh të madh mijëra afganëve që punuan me forcat amerikane për 2 dekada luftë. Shumë prej të larguarve kanë frikë nga hakmarrja talebane, ku 200 janë anëtarë të shërbimit amerikan.

Sipas një raporti nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më shumë se 180,000 afganë kanë mbërritur në tokën e premtuar që nga gushti 2021.  Nga 27 janari programi pranimit pezullohet për të paktën 90 ditë. Sekretarët e Sigurisë Kombëtare do t'i paraqesin një raport Trump nëse programi "do të ishte ose jo në interes të SHBA’, derisa presidenti të marrë një vendim.