KABUL- Autoritetet lokale në Afganistan njoftuan se 17 civilëve u është prerë koka ndërsa 10 ushtarakë afganë kanë humbur jetën në dy incidente të shkëputura. Civilët u masakruan në distriktin Musa Qala, në jug të provincës Helmand të dielën mbrëma.

10 ushtarakët u vranë në të njëjtën provincë kur persona të panjohur sulmuan një pikë kontrolli ditën e djeshme. Raportohet gjithashtu se një ushtar afgan vrau dy kolegë të kombësisë së huaj të hënën në lindje të provincës Laghman e më pas u qëllua për vdekje nga trupat e ISAF.

"Natën e kaluar 17 civilëve, dy femra dhe 15 meshkuj ju pre koka nga persona të panjohur", konfirmoi për AFP-në Daud Ahmadi, zëdhënës i provincës Helmand. Ai shtoi se ende nuk dihet se kush qëndron pas këtyre sulmeve por gjithçka po hetohet. Ndërkaq, sulmi në pikën e kontrollit ushtarak la përveçse 10 të vdekur, katër ushtarë të plagosur dhe pesë të tjerë raportohen të humbur.

Ende nuk është e qartë nëse ata kanë dezertuar ose janë bashkuar vullnetarisht me agresorët. Sulmin mbi pikën e kontrollit e konfirmoi koloneli Mohammad Ismaiel Hotak. Dyshimet e para janë për një sulm të shkaktuar përmes një komploti të brendshëm.
(dm/shqiptarja.com)