Fituesi i zgjedhjeve presidenciale afgane, Ashraf Ghani përshëndeti sot tranzicionin e parë demokratik në historinë e Afganistanit dhe konfirmoi se qeveria e bashkimit kombëtar do të sjellë paqe për të vend të përballur me kryengritjen e talebanëve.

"Kjo është një fitore e madhe për kombin afgan. Për herë të parë në historinë tonë, pushteti i është transferuar një presidenti të zgjedhur në sajë të votimit popullor", deklaroi sot Ghani pas shpalljes së fitores nga Komisioni Zgjedhor i Pavarur (IEC).

Ghani, një ekonomist 65-vjeçar, i cili ka qenë ministër Financash nga viti 2002 në vitin 2004, do të pasojë Hamid Karzain, i cili ka drejtuar Afganistanin pas ndërhyrjes ushtarake perëndimore, në vitin 2001.

Ai ishte zgjedhur dy herë si president, në zgjedhjet e vitit 2004 dhe 2009, por Kushtetuta i ndalon të marrë një mandat të tretë në krye të Shtetit.