KABUL - Numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në provincën e Badakshan të Afganistanit ka shkuar në mbi 2,100 persona. Zyrtarët afganë kanë humbur shpresat se do të mund të gjejnë të mbijetuar nën masën e dheut e cila mbuloi tërësisht rreth 300 shtëpi dhe dëmtoi qindëra të tjera. Sipas tyre, kodra mbi fshatin është e paqëndrueshme dhe mund të ketë një tjetër rrëshqitje dheu.

Misioni i OKB në Afganistan bëri të ditur se tashmë operacionet janë fokusuar në ndihmën për rreth 4 mijë persona të cilët janë prekur nga kjo fatkeqsi natyrore apo si masa sigurie për fshatërat pranë kodrës.

Skuradrat e shpëtimit së bashku me qindëra vullnetarë filluan të gërmojnë që në orët e para të së shtunës, duke mos gjetur asnjë të mbijetuar, pas 100 metrash gërmim.

Shkaku i i rrëshqitjes së dheut besohet se janë shirat e dendura që kanë përfshirë këtë zonë në ditët e fundit.

MINISTRI E JASHTME NGUSHELLIME AFGANISTANIT

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në një deklaratë në faqen zyrtare në internet ka shprehur ngushëllimet për familjet e të vdekurve dhe për të gjithë popullin afgan.

"Ministria e Punëve të Jashtme shpreh hidhërimin e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur gjatë ditës së djeshme në provincën Badakhshan, në verilindje të Republikës Islamike të Afganistanit, ku, si pasojë e rrëshkitjes së dheut,
kanë humbur jetën qindra qytetarë të pafajshëm dhe shumë të tjerë janë plagosur ose rezultojnë të zhdukur. Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave dhe gjithë popullit afgan, si dhe
solidarizohet me autoritetet afgane për përballjen me vendosmëri të pasojave të rënda të kësaj fatkeqësie natyrore, duke shpresuar për kapërcimin sa më shpejt të situatës." lexohet në deklaratën e Ministrisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)