KABUL, 28 qershor /ATSH-AFP/ - Ushtria afgane ndaloi një ofensivë të rebelëve talebanë në provincën Helmand në jug duke vrarë rreth 260 kryengritës, në një operacion të konsideruar si një testim për ushtrinë që tashmë do të mbrohet krejt e vetme pas tërheqjes së NATO-s në fund të vitit 2014, theksoi sot ministri afgan i Punëve të Brendshme.
"Ofensiva e talebanëve u shty, tashmë forcat tona po avancojnë në drejtim të tyre në distriktin e Sangin", theksoi sot Sediq Sediqqi, zëdhënës i ministrisë.
Megjithatë, sipas Sediqqi, avancimi i forcave afgane është i ngadaltë pasi talebanët kanë minuar disa sektorë. Zëdhënësi shtoi se policia arriti dje të neutralizojë 60 mina në Sangin.
Sediqqi konfirmoi gjithashtu se 260 talebanë u vranë gjatë këtyre luftimeve, 28 anëtarë të forcave afgane vdiqën si dhe 35 të tjerë janë plagosur. Luftimet kanë shkaktuar edhe viktima civile por bilanci ende nuk dihet për momentin./
/G.S/