Ekipet e shpëtimit janë dërguar në zonat e thella malore për të shpërndarë ushqime dhe veshmbathje për njerzit në nevojë. BBC raporton se shumë njerëz në të gjithë rajonin kanë sfiduar temperaturat e ulta duke fjetur jashtë për shkak të frikës së ndonjë tërmeti tjetër.
Guvernatori i provincës Badakhshan, Sheh Valiullah Adeeb, tha se ekipet e shpëtimit ishin nisur në zonat më të largëta por për shkak të rrëshqitjeve të tokës rrugët janë bllokuar ndërsa ekipet e shpëtimit janë detyruar të shkojnë me helikopterë.
“Me helikopter grupet e shpëtimit kanë shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Të jemi gjithë bashkë për të ndihmuar këta njerëz në ditë të vështira”, u shpreh Sheh Valiullah Adeeb.
Në një deklaratë për mediat presidenti afgan Ashraf Ghani u bëri thirrje atyre që jetojnë në zonat e prekura të japin ndihmën e tyre ndaj ekipeve të shpëtimit.
Shefi ekzekutiv afgan Abdullah Abdullah tha se rreth 76 persona janë vrarë dhe 268 të plagosur, ndërsa paralajmëroi që numri i tyre mund të rritet.
Në Afganistan dhe Pakistan më shumë se 300 njërëz kanë humbur jetën ndërsa rreth 2 mijë persona kanë mbetur të plagosur.
Redaksia Online
(o.m/shqiptarja.com)