Afron panairi i Fierit, nderohet 
Fatos Arapi, i ftuar Rexhep Qosja

Afron panairi i Fierit, nderohet <br />Fatos Arapi, i ftuar Rexhep Qosja
TIRANE- Rreth 100 shtëpi botuese dhe rreth 1000 tituj të rinj do të prezantohen në Panairin Kombëtar të Librit në Fier, i cili do të mbahet në datat 21–24 Maj, në ambjentet përpara Prefekturës. Në këtë panair organizatorët kanë ftuar personalitetet më në zë të letërsisë, shkrimtarë, poetë, akademikë, përfaqësues të medias e politikës, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Në ceremoninë e hapjes do të ketë edhe përfaqësues e drejtues të Ministrive të Kulturës së Kosovës e Shqipërisë, deputetë të Kuvendit, etj. Panairi Kombëtar i Librit në qytetin e Fierit do të organizohet nga Fondacioni “Harpa” dhe Bashkia Fier. Ashtu si edhe vitin e kaluar, do të ekspozohet një gamë e gjerë botimesh, si: letërsi artistike shqipe dhe e huaj, histori, enciklopedi, letërsi për fëmijë, fjalorë, albume, udhëzues, harta, etj.

Të ftuarit e veçantë të këtij panairi janë Ali Aliu, Rexhep Qosja, Fatos Arapi, për të cilin zhvillohet edhe një Konferencë shkencore më 22 maj. Edhe pse Fatos Arapi nuk do të mundet dot të jetë në këtë Panair, për arsye shëndetësore, krijimtaria e tij do të zërë një vend nderi, ku studiuesit do të rikonfirmojnë përmes një konference shkencore vlerat e kësaj krijimatrie në poezinë shqipe. Do të referojnë në konferencat e organizuara gjatë panairit Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca, Zenullah Rrahmani, Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka, Ministri i Kulturës, Kosovë, Kujtim Shala etj.

Në Panairin Kombëtar të Fierit do të zhvillohen tri konferenca të rëndësishme shkencore: 1-Libri dhe problemet e tij ne aktualitetin e sotëm, ku do të referojnë Ali Aliu, Moikom Zeqo, Muharrem Jakupi, Irena Toçi, Valbona Nathanaili, Abdullah Zeneli. 2-Fatos Arapi, një ndër vokacionet kulmore të poezisë shqipe, për të cilin do të flasin Ymer Ciraku, Ali Aliu, Bashkim Kucuku, Bardhosh Gace, Adem Xheladini. 3-Fan Noli dhe Faik Konica, dy personalitete - miq e rival të përjetshëm, ku referojnë Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka, Agim Vinca.

Do të bëhen promovime të shumë autorëve, si: Vepra e Kujtim Shalës, Prec Zogaj, Bashkim Shehut, Mira Meksit, Rita Petros, Kleo Latit, Zejnullah Rrahmanit etj. Sipas organizatorëve, meqenëse këtë vit, emra të njohur autorësh kanë përvjetorë lindjesh e vdekjesh, është menduar të bëhet një kolazh interpretimesh, me krijime të autorëve, si: Martin Camaj, Naim Frashëri, Ernest Koliqi, Çajupi, Gjergj Fishta, Pashko Vasa etj. Në mbyllje të Panairit do të jepen katër çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare. Juria është e përbërë nga personalitete të fushës së letrave.

Dita e parë e panairit do të ketë një program të pasur ku përfshihen ceremonia zyrtare e çeljes së së tij nga ora 11.30 deri 12.00; vizitat në stendat e Panairit, pastaj do të vijojë konferenca shkencore për problemet e librit në sallën e Bashkisë së Fierit. Ndërsa në orën 13.00 deri në 14.00 do të bëhet promovimi i krijimtarise se poetit dhe studiuesit Kujtim M. Shala, njëkohësishtt Ministër i Kulturës, Kosovë.

Të tjerë autorë që do të promovojnë librat e tyre do të jenë Arben Dano, Servet Pëllumbi, Abdullah Zeneli, Clara Sánchez, Ylli Molla, etj. Deri më 24 maj do të vijojnë konferencat, takimet me shkrimtarë të njohur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe promovimet e veprave letrare të autorëve të tjerë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023

Zgjedhjet në Himarë/ Gushti ktheu himariotët në vendlindje, rritet pjesëmarrja në votime! 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023