Kriteret e përfitimit
Për marrjen e përfitimeve të aftësisë së kufizuar duhet të plotësohen kriteret e mëposhtme: Personi të ketë një gjendje mjekësore të vërtetuar të një dëmtimi fizik, mendor, intelektual apo shqisor të lehtë mesatar, të rëndë ose të thellë. Të vërtetohen kufizime të lehta, mesatare, të rënda ose të thella, të shkaktuara nga dëmtimi. Të vërtetohen kufizime mesatare, të rënda, të thella për të kryer veprimtari domethënëse të jetesës së përditshme, të përshtatshme për moshën e personit dhe për të marrë pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike. Personi të përjetojë kufizime të konsiderueshme mjedisore dhe qëndrimore, të cilat ndikojnë në aftësinë për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri. Personi të jetë mbi moshën 2 vjeç. Personit nuk i ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, para datës së intervistës së vlerësimit. Personi nuk ka qenë në marrëdhënie pune, para lindjes të së drejtës për komisionim, dhe nuk përfiton nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Si do bëhet vlerësimi bio-psiko-social
Procesi i mbështetur në modelin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar përfshin vlerësimin mjekësor të aplikuesit nga mjeku i familjes dhe nga mjeku specialist/QKSHM-ja, një intervistë me aplikuesin në Zyrën Rajonale të Vlerësimit të Personave me Aftësi të Kufizuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë të kufizuar, me mjekë dhe punonjës socialë, verifikimin e informacionit të marrë dhe kontrollin vjetor mjekësor. Vlerësimi bio-psiko-social i aftësisë së kufizuar dhe nivelit të kufizimeve funksionale bëhet në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar mbi Funksionimin, Aftësinë e Kufizuar dhe Shëndetin të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky vlerësim përfshin faktorët që dëmtojnë aftësinë e një individi për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe për të marrë pjesë në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët. Udhëzuesit për vlerësimin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar për të rriturit dhe fëmijët miratohen nga ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë. Pranë zyrës së administrimit të procesit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar krijohet komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar në nivel rajonal i cili përbëhet nga punonjës me kohë të plotë dhe ka në përbërje së paku një mjek dhe një punonjës social/psikolog, të trajnuar për modelin bio-psiko-social të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar. Komisioni kryesohet nga përgjegjësi i zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe ka këto detyra:
- Vlerësimin dhe shqyrtimin e dosjeve të paraqitura për vlerësim/rivlerësim.
- Verifikimin dhe shkëmbimin e informacionit elektronik me rrjetin e institucioneve të tjera të kujdesit shëndetësor, të arsimit, punësimit e formimit profesional, sigurimeve shoqërore, tatimeve, strukturave përgjegjëse pranë pushtetit vendor si edhe institucioneve të tjera, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar dhe, kur nuk është e mundur, manualisht/zyrtarisht.
- Caktimin e datës së intervistës dhe njoftimin e kërkuesit ose kthimin e dosjes për plotësim kur ka mungesë dokumentacioni.
- Organizimin dhe kryerjen e intervistës brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit apo në një afat më të shkurtër për rastet për të cilat kërkohet procedurë e përshpejtuar;
- Përgatitjen e rekomandimeve për shërbime të tjera dhe marrjen e vendimit për përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar.
- Njoftimin e kërkuesit për vendimmarrjen dhe pajisjen me dokumentin përkatës që përcakton aftësinë e kufizuar.
Personat, të cilët kanë një shfaqje të menjëhershme të një sëmundjeje të rëndë ose një humbje të plotë e të menjëhershme të aftësive funksionale për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme, mund të kualifikohen për procesin e përshpejtuar të vlerësimit, i cili do të kryhet brenda 10 ditëve kalendarike nga data e marrjes së dokumenteve të aplikimit.
Përfitimet në pagesa dhe shërbime
Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar është një pagesë mujore e cila jepet në muajin pasardhës nga data e vendimit për përfitime, me qëllim përmbushjen e nevojave elementare, të lidhura me aftësinë e kufizuar, e cila përfitohet nga personat të cilët janë deklaruar si të tillë me vendim të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. Pagesa bazë për shkak të aftësisë së kufizuar është 150% e shumës së pensionit social. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar indeksohet sa herë indeksohet pensioni social/në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit.
-Personat mbi 18 vjeç me kufizime të lehta referohen për të përfituar shërbime/punësim ose, në mungesë të tyre, përfitojnë 60% të pagesës bazë.
-Personat mbi 18 vjeç me kufizime mesatare përfitojnë 80% të pagesës bazë.
-Personat mbi 18 vjeç me kufizime të thella përfitojnë 100% të pagesës bazë.
Personat mbi 18 vjeç me kufizime të rënda përfitojnë 120% të pagesës bazë.
Fëmijët me kufizime të lehta referohen për të përfituar shërbime ose në mungesë të tyre përfitojnë 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime të lehta.
Fëmijët me kufizime mesatare përfitojnë 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime mesatare.
Fëmijët me kufizime të rënda përfitojnë 75% të shumës që përfitojnë personat madhorë me kufizime të rënda.
Fëmijët me kufizime të thella përfitojnë 75% të shumës që përfitojnë personat madhorë me kufizime të thella.
Niveli i pagesës për shkak të aftësisë së kufizuar përcaktohet nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit në përputhje me udhëzimet e miratuara nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale. Pagesat për personat me aftësi të kufizuara kryhen përmes shërbimeve bankare ose Postës Shqiptare.
Pagesat për shkak të aftësisë së kufizuar ndërpriten kur:
Përfituesi nuk ka dorëzuar raportin vjetor mjekësor deri në 30 ditë kalendarike pas datës së përcaktuar për dorëzimin e tij.
Përfituesi nuk ka ndjekur procedurat e rivlerësimit deri në 30 ditë kalendarike pas datës së përcaktuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
Verifikohet mashtrimi apo shpërdorimi dhe nisin procedurat për kthimin e të gjitha shumave të përfituara padrejtësisht.
Zyrat rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit raportojnë për mungesën e bashkëpunimit nga ana e përfituesve, të cilët janë rekomandur për t’u punësuar dhe/ose për të mbajtur një vend pune apo kanë refuzuar deri në dy herë ofertat e përshtatshme të punës nga zyrat e punës.
Përfituesi ka qëndruar jashtë vendit më shumë se 6 muaj, me përjashtim të personave e të familjeve të tyre të caktuar me punë pranë përfaqësive tona diplomatike dhe organizmave ndërkombëtarë si dhe të rasteve të përfituesve të cilët ndodhen jashtë shtetit shqiptar për qëllime kurimi apo rehabilitimi.
Dokumentacioni për përfitimin e aftësisë së kufizuar përfshin:
- kërkesën/formularin e aplikimit
- formularin e plotësuar nga mjeku i familjes
- formularin e plotësuar nga mjeku specialist/Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor (QKSHM)
- kopje të kartës së identitetit ose certifikatë personale.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com