TIRANE - Shkrimtari Agim Gjakova shprehet se ai dhe intelektualë të tjerë të Kosovës janë të befasuar me komentet e Lubonjës që e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës të liruar nga Haga “pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve”. Agim Gjakova i quan komentet të pabazuara dhe akuzat ndaj Haradinaj “tentativa që bëhen nëpërmjet njerëzve të ndryshëm me influencë të Serbisë, ose të Rusisë, ose të lidhjeve të tjera kundër kombit shqiptar”. Gjakova shprehet se Haradinaj është “një lider që ka luftuar me drejtësi për çlirimin e Kosovës”, edhe pse ka shumë vërejtje për mënyrën e tij të drejtimit në politikë. 

Zoti Gjakova, si e shpjegoni ju daljen në skenë këto ditë të debatit që nisi pas një shkrimi të analistit Fatos Lubonja, ku e ka cilësuar Ramush Haradinajn “vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve”?
-Kjo i lihet analizës së drejtësisë se përse është gjykuar rasti i Ramush Haradinaj. Mund të ketë edhe raste të vrasjes nga ndonjë komponent që ka bashkëpunuar me UDB-në, por këto raste t’i lihen gjykatës dhe të vendos drejtësia për këta njerëz që i kanë shërbyer armikut. Prandaj përbaltja e një luftëtari, cilido qoftë ai, jo vetëm si Ramush Haradinaj, por edhe të një luftëtari të thjeshtë, nuk është aspak në interes të kombit shqiptar. Druhem të mos përdor fjalë të rënda, por është në interes të armiqve të kombit, të armiqve të Kosovës dhe këto tentativa bëhen nëpërmjet njerëzve të ndryshëm me influencë të Serbisë, ose të Rusisë, ose të lidhjeve të tjera të organizuara kundër kombit shqiptar.
 
Gjatë kohës që Haradinaj u lirua nga Gjykata e Hagës, çfarë fitoi çështja kosovare?
-Herën e parë kur e morën në Hagë, unë e kam thënë për rastin Haradinaj, se Kosova nuk ka asnjë shqiptar që të shkojë në Hagë. Ndërsa për sa u përket serbëve nuk janë vetëm ata 23 kriminelë që i mori Haga, por janë me mijëra kriminelë të cilët kanë bërë krime, dhe nuk është e thënë se të gjithë ata “i urdhëroi” Millosheviçi. Ata kanë bërë krime, sepse po humbnin pushtetin dhe privilegjet e tjera, ata kanë bërë vrasje nëpër të gjitha trevat shqiptare të Kosovës.

Marrja e cilitdo shqiptar në Hagë është e padrejtë. Në cilëndo kohë unë e kam quajtur të padrejtë. Mbajtja e Ramushit në Hagë, në kuptimin global të çështjes shqiptare nuk është ndonjë humbje kushedi se çka, Lirimi i tij përsëri nuk është ndonjë fitore e madhe e kombit shqiptar, për arsye se mjedisi shqiptar ka shumë njerëz të tjerë që kanë kontribuar për lirinë dhe mjedisin e Kosovës.

Prandaj mbi këtë bazë unë e konsideroj përfoljen e Haradinaj si “vrasës” si ndërhyrje të qëllimshme të atyre që punojnë kundër çështjes së Kosovës. Unë personalisht nuk do të hyj në marrëdhëniet politike të Ramush Haradinaj pas daljes nga Haga, sepse me një pjesë të qëndrimit të tij politik unë sot nuk pajtohem, as me të, as me qeverinë e Kosovës. Kam shumë e shumë vërejtje për Haradinaj, për tendencën e tij që me çdo kusht kërkon të bëhet kryeministër, pa u bërë ende votimet, por nuk do ta quaja vrasës.  
 
Çfarë mendoni se e ka shtyrë analistin Lubonja të hedh dyshime për Hardinajn?
-Kjo ide e tij është relative. Përpara Ramushit mund të shkonin të tjerë në Gjykatën e Hagës, sepse  ne dimë që ka disa që kanë bërë krime në pushtet dhe mund të shkonin në Hagë për krime, por ata kanë bërë krime jo ndaj armikut, por ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë të përdorur nga UDB-ja.

Është thënë dhe është shkruar që edhe “shqiptarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë vrasje ndaj shqiptarëve”. Çfarë mendoni ju lidhur me këtë?
-Jo të gjithë janë të pafajshëm në luftë. Pikërisht ata luftëtar që kanë qenë me ndërgjegje dhe ideale, asnjëherë nuk mund të përzihen dhe nuk mund të thuhet se kanë qenë të tillë, por ka dëshmi, që ka edhe të tjerë që kanë bërë vrasje. Dhe këto kanë dalë, por është një problem i hapur ky. Ata duhet t’i gjejë drejtësia. Por strukturat ndërkombëtare duket sikur po luajnë me drejtësinë. Është rasti i Fatmir Limës që herë e lirojnë, e herë e fusin në burg. Pyetja e parë që vjen është: Kaq e paaftë qenka kjo drejtësi ndërkombëtare, që luan kësisoj me rastin Limaj?!. Ajo duhet të thotë po ose jo, ka bërë apo nuk ka bërë krime.
 
Po vetë ju ç’opinion keni?
-Po ekziston pra opinioni që disa kanë bërë krime. Nuk nisem konkretisht nga Fatmir Lima. Është një çështje që do zbardhur, sikurse edhe në Shqipëri që u fol të zbardhen dosjet, edhe këtu të thuhet në mënyrë të hollësishme se kush ka qenë, çfarë ka bërë, kujt i ka shërbyer dhe si, dhe të mos lejohet krijim armiqësie ndaj shqiptarëve, duke iu shërbyer politikave dhe qëllimeve të ndryshme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)