Agjencia Amerikane për Media Globale pranon t’i lëvrojë Radios Evropa e Lirë një pjesë të grantit! REL kërkoi për këtë vit 153 milionë dollarë

Agjencia Amerikane për Media Globale pranon t’i lëvrojë Radios Evropa e Lirë një pjesë të grantit! REL kërkoi për këtë vit 153 milionë dollarë

Selia e Radios Evropa e Lirë në Pragë

Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) u zotua se do t’i lëshojë Radios Evropa e Lirë një pjesë të fondeve që i janë ndarë nga Kongresi, pak para seancës së planifikuar gjyqësore për këtë çështje.

Vendimi do të thotë se Radio Evropa e Lirë do të marrë 7.46 milionë dollarë - shumë kjo që mbulon periudhën nga 1 marsi deri më 14 mars.

“Agjencia ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm administrativë për të iniciuar disbursimin”, tha USAGM-ja në një letër bashkëngjitur dosjes gjyqësore.

Shpërndarja e fondeve u tha se do të bëhet deri më 26 mars, ndërsa Radio Evropa e Lirë do t’i marrë ato deri në fund të muajit.  Radio Evropa e Lirë, javën e kaluar, ngriti padi kundër USAGM-së, për shkak të bllokimit të fondeve të miratuara nga Kongresi.

Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë i dëgjoi të hënën argumentet e të dyja palëve.

Abigail Stout, avokate e Departamentit të Drejtësisë, e cila përfaqëson USAGM-në, tha se marrëveshja e grantit ndërmjet USAGM-së dhe Radios Evropa e Lirë - siç thuhet në Aktin e Transmetimeve Ndërkombëtare - i jep agjencisë të drejtën ta ndërpresë marrëveshjen, nëse Radio Evropa e Lirë dështon të veprojë në përputhje me dispozitat e përshkruara në të.

"Statuti, në fakt, parashikon që agjencia mund ta ndërpresë grantin", tha ajo.

Në përgjigje, David Zionts, një nga avokatët e Radios Evropa e Lirë, tha se "nuk do të kishte kuptim" që Kongresi t'i miratonte fondet dhe agjencitë të vepronin, pastaj, sipas interesave të tyre.

Radio Evropa e Lirë kërkon edhe pjesën e mbetur të grantit për vitin e plotë buxhetor 2025, i cili përfundon më 30 shtator, si dhe një urdhër preliminar nga gjykata për këtë qëllim.

Gjykatësi Royce Lamberth pritet të vendosë për këtë në javët e ardhshme.

Direktiva për ndërprerjen e fondeve për Radion Evropa e Lirë u dha disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi më 14 mars një urdhër ekzekutiv për reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë USAGM-në.

Granti i Radios Evropa e Lirë u ndërpre me një letër, e cila u nënshkrua nga Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së.
Në letër thuhej se “vendimi nuk i zbaton më prioritetet e agjencisë”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Katër ditë më vonë, Radio Evropa e Lirë bëri të ditur se ka paditur USAGM-në, si dhe zyrtarët e agjencisë, Kari Lake dhe Victor Morales, për t’i parandaluar përpjekjet e tyre për të ndërprerë financimin federal të transmetuesit.

“Përfundimi i kontratave të punonjësve tanë të pavarur dhe pezullimi nga puna i punonjësve do t’i pengojnë ndjeshëm aftësitë tona për të dhënë lajme të pacensuruara në 23 vendet ku shërbejmë”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, në dosjen për gjykatën.

Trump - i cili ndërmori disa veprime për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, prej se nisi mandatin e dytë në janar - është përplasur qysh në mandatin e parë me USAGM-në për pavarësinë editoriale dhe programet.

Por, mbështetësit e transmetuesve thonë se ata janë një krah i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

“Është jetike që Kongresi ta mbrojë USAGM-në, të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të riafirmojë angazhimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi një grup prej 28 organizatash për lirinë e shtypit dhe gazetarëve nga e gjithë bota, në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, më 19 mars.

Me të ardhmen e pasigurt të Radios Evropa e Lirë, politikanët e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mundësi për ta mbështetur transmetuesin.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacioneve në pothuajse 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-ja nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025, është 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Sipas dokumenteve të USAGM-së, buxheti i kërkuar për REL-in për vitin 2025 ishte rreth 153 milionë dollarë./REL/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 26 Mars, 08:02

    Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 11 majit për integrimin në BE?



×

Lajmi i fundit

Galdini: Rama me parullën e Trump në 2016, ‘Do thaj kënetën’! Valteri: Berisha largoi të djathtët, me Metën rezultat më të dobët! Kthupi: Opozita do riformatohet pas 11 majit

Galdini: Rama me parullën e Trump në 2016, ‘Do thaj kënetën’! Valteri: Berisha largoi të djathtët, me Metën rezultat më të dobët! Kthupi: Opozita do riformatohet pas 11 majit