Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka vijuar me gjobat ndaj të gjithë atyre kryebashkiakëve që nuk menaxhojnë si duhet mbetjet urbane.

Kësaj radhë, AKM ka gjobitur kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli, i cili edhe pse në pikun e sezonit turistik, e ka lënë Vlorës mes mbeturinave siç duket edhe në fotot e mëposhtme.

Kujtojmë se më herët edhe kryeministri Rama e kishte identifikuar këtë bashki si model të keq menaxhimi ku sipas tij kryebashkiaku fle gjumë. 

 'Ndërkohë që kemi bashki si Vlora kemi një kryebashkiak që fle gjumë. Një vend me potenciale të mëdha... Të qenit xix mëngjes drek, darkë. Pa folur për bashki të cilat kanë potenciale të mëdha siç është Pogradeci. Bashkia më shembullore përfshirë edhe Tiranën, është Shijaku. Kanë ça të mësojnë nga bashkia e Shijakut. Tirana dhe Durrësi kanë kohë për të nxjerrë nga kapacitetet e tyre të natyrshme. Janë çështjes vullneti dhe durimi. Shqiptarët kanë qenë të varfër, por nuk kanë qenë pisanjos. Tani kjo situatë flet shumë jo për çfarë u bë, por sa gjynah se ka akoma zona dhe pjesë ku ka pisllëk.'- tha Rama.

Në një tjetër takim me kryebashkiakët në Pogradec, Rama e kritikoi sërish Lelin i cili sipas tij ishte në gjumë letargjik.  Rama thotë se Leli merr lekët nga qeveria për pastrimin, por nuk nënshkruan kontratat.

Nuk është hera e parë që Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka gjobitur kryebashkiakët e vendit. Më 8 shkurt u gjobit me 500 mijë lekë gjobë kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushin për mos menaxhimin e mbetjeve në terren, të hedhura në mënyrë të jashtëligjshme vend e pa vend.

Bushi është gjobitur me 500 mijë lekë, gjobë që parashikohet nga ligji “Për menaxhimin e mbetjeve”, i cili është miratuar që në vitin 2011. 

Ai ishte kryebashkiaku i tretë në vend që gjobitet nga AKM, pas ndëshkimit të kreu të bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, dhe atij të Poliçanit, Adriatik Zotkaj për keqmenaxhimin e mbetjeve.