Agjentët famëkeq të ICE, forca federale amerikane kundër emigracionit e krijuar me vullnetin e presidentit Donald Trump, do të shkojnë në Itali për të shoqëruar delegacionin amerikan që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina që do të mbahen në shkurt. 

Konfirmimi ka ardhur nga burime të ambasadës amerikane në Milano. 

Ata sqarojnë se në terren do të jetë vetëm struktura hetimore e ICE-s, Homeland Security Investigations, me rol mbështetës për sigurinë e delegacionit amerikan. Për rendin dhe sigurinë në Itali, theksojnë ata, përgjegjësia do të jetë vetëm e autoriteteve italiane.

Në praktikë, bëhet fjalë për agjentë individualë të dërguar për mbrojtjen e delegacionit amerikan, njësoj siç ka ndodhur edhe në Olimpiada të mëparshme. Ata nuk do të kenë asnjë rol operacional, nuk do të kryejnë kontrolle dhe nuk do të veprojnë si forcë policore në territorin italian.

Konfirmimi i ardhur nga amerikanët mbylli një ditë të mbushur me tension përgjatë boshtit Romë–Milano, mes deklaratave, sqarimeve dhe tërheqjeve që kanë nxitur polemika politike në vendin fqinj. 

Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi u përpoq të frenonte përplasjen në orët e vona të pasdites së të hënës. “Është një polemikë për asgjë. Amerikanët ende nuk kanë dërguar listën e pjesëmarrësve, por, cilado qoftë ajo, ICE nuk do të operojë kurrë në territorin italian si i tillë,” tha ai. Sipas Piantedosit, agjentët mund të merren vetëm me detyra mbrojtjeje për atletët dhe personalitetet amerikane.

“Delegacionet e huaja zgjedhin vetë, brenda rregullave të tyre, se kujt ia besojnë sigurinë. Nuk shoh se cili është problemi,” tha ai më herët.

Debati u rindez nga fjalët e guvernatorit të Lombardisë, Attilio Fontana. Fillimisht ai foli për një prani të kufizuar, si roje personale të zëvendëspresidentit J.D. Vance dhe sekretarit të Shtetit Marco Rubio. Pak më vonë, u tërhoq, duke sqaruar se kishte bërë vetëm një koment hipotetik dhe se çështja nuk ishte në kompetencën e rajonit që përfaqëson.

Kaq mjaftoi për të shkaktuar reagimin e kryetarit të Bashkisë së Milanos, Beppe Sala. “Si kryetar bashkie nuk do të doja kurrë që ky trup policor të vinte në Itali. Është një forcë që vepron jashtë ligjit dhe vret, krejtësisht e papajtueshme me mënyrën tonë të menaxhimit të sigurisë,” tha ai.

Të martën në mëngjes, në një intervistë për RTL 102.5, Sala e ashpërsoi më tej tonin: “Si italian, nuk ndihem i mbrojtur. Kjo është një milici që hyn në shtëpitë e njerëzve dhe vret. Agjentët e ICE-së nuk janë të mirëpritur në Milano. A nuk mund t’i themi një herë jo Trump-it?”.

Grupi i Partisë Demokratike në Senat ka depozituar një interpelancë ndaj qeverisë për të kërkuar mbi çfarë marrëveshjesh parashikohet prania e ICE-së, duke e cilësuar atë “një provokim”.

Ndërkohë, një peticion i partisë Azione kundër ardhjes së agjentëve ka mbledhur mbi 5 mijë firma. Kreu i së Majtës Italiane, Nicola Fratoianni, shkoi edhe më tej: “Skuadrat e Trump-it nuk duhet të vënë këmbë në Itali. Nuk mund të lejojmë persona të armatosur deri në dhëmbë të veprojnë në territorin tonë”./Corriere