Agron Duka: Rikthimi në PS?
Do rri aty ku vlerësohem

Agron Duka: Rikthimi në PS?<br />Do rri aty ku vlerësohem
TIRANE- Një emër jo pak i njohur në politikë, ku ka mbajt postin e ministrit të Bujqësisë në vitin 2001 deri në 2005, po aq i njohur edhe në fushën e biznesit, në një intervistë për Shqiptarja.com, Agron Duka rrëfen emocionet e rikthimit në sallën e Parlamentit si deputet. Largimi nga PS sipas tij ka qenë për shkak të mosmbajtjes së fjalës nga ana e liderit të PS, i cili nuk e kishte përfshirë në listat për deputet në Durrës. Kjo solli edhe kandimin e tij në Partinë Republikane nga dhe ku fitoi mandatin e deputetit. Rikthimin te PS e komenton se është më mirë që të qëndroj aty ku vlerësohet më shumë.
 
-Deputet sërish në Parlament, çfarë ndiesie ju krijon ky fakt?
Unë kam qenë anëtar i parlamentit për katër vjet me një mandat të fituar në një sistem ndryshe nga ky i sotmi por në një sistem maxhoritar ku zonat elektorale kishin një konturim më të ngushtë. Në vitin 2001 unë konkurova si i pavarur i mbështetur nga e majta në qytetin e Shijakut dhe dy komuna përrreth tij. Këtë vit arrita të siguroj mandatin përsëri me votat e Shijakut e zonës rurale përrreth dhe kjo më jep ndjesi pozitive, natyrisht dyfishimi i votave me Durrësin, Krujën e Fushë-Krujën më forcojnë bindjen së rruga që ndoqa ishte e drejtë.  

-Rikthimi në Parlament vjen këtë herë nën siglën e një partie të djathtë, do të thotë kjo se janë “tradhëtuar” idealet tuaja të majta?
Siç ju thash në vitin 2001 unë nuk kam konkuruar në siglën e ndonjë partie, por më këtë nuk dua të them që Partia Socialiste nuk ka patur ndikim në fitoren time. Sipas konceptit tim të ndryshosh qëndrimin ndaj një partie në pluralizëm, sidomos tani që me ndryshimet kushtetuese roli i saj është dobësuar në maksimum dhe është përqendruar te një njeri, nuk përbën ``tradhëti``ndaj idealeve.

-Si e përjetuat moskandidimin në listat e PS-së për deputet në Qarkun në Durrësit?
Une përjetova shumë keq mosmbajtjen e fjalës sepse gjërat rrodhën kështu: Rama më kërkoi të jap kontribut në hartimin e programit për zhvillimin rural, më kërkoi gjithashtu të isha kandidat për deputet në zonën time, fjalët e tij unë i përcolla tek simpatizantët e mi. Në limitet e kohës së shpalljes së listave e kisha shumë të vështirë t`i spjegoja atyre që javën e fundit kishin ndryshuar konjukturat politike sipas Ramës dhe unë nuk mund të isha në listat për deputet në qarkun e Durrësit,këto argumenta ju duken false dhe ishin vetë ata që më kërkuan të kandidoi në një forcë tjetër politike.

-Ishte e vështirë përballja në fushatë me kunatin tuaj Z.Lefter Koka. Po me kandidatët e majtë në këtë qark?
Unë kandidova nën siglën e Partisë Republikane në një sistem proporcional rajonal, sistem, i cili nuk të krijon përballje më askënd. Simpatizantët dhe miqtë e mij si edhe strukturat e PR për të mbledhur sa më shumë vota për të siguruar të paktën një mandat dhë siç e dini vlerësimi që maksimal në arritëm të sigurojmë dyfishin e votave të nevojshme madje tentuam edhe për mandatin e dytë. 

-Raportet me kreun e PS, Edi Rama...kanë ndryshuar?
Raportet me kreun e PS-së unë i kam patur gjithmonë institucionale, duke filluar që nga koha që unë kam qenë ministër Bujqësie dhe ai kryetar bashkie, më pas ai kryetar partie dhe unë anëtar i saj duke kryer me zell e përkushtim çdo detyrë që më ngarkohej, në një farë mënyre kemi të njëjtat raporte institucionale ai kryetar i pozitës dhe kryeministër dhe unë anëtar i opozitës.

-Sa i afërt ndjeheni me Republikanët?
Ndjehem shumë mirë këtë e vura re që në ditët e para të fushatës ,ku unë u prita njëlloj si nga të djathtët edhe nga një pjesë e të majtëve, por ajo që më bëri të ndjehem akoma më mirë ishte vlerësimi pa dallim nga banorët e zonës sime. Përsa i përket strukturave të PR-së kam marrëdhënie shumë të mira, bashkëpunimi me to kam besim që do na sjelli fitore edhe më të mëdha në të ardhmen.  

-Çfarë do t`iu rikthente në PS?
Nuk e kam menduar, por mund të thëm që njeriu ndjehet mirë aty ku gjen bashkëpunim dhe ndjehet i vlerësuar.

-Pavarësisht se keni mandatin e një republikani, e ndjeni veten ende socialist?
Sinqerisht unë ndjej që kam për detyrë t`i shërbej të gjithëve qofshin këta të djathtë të majtë apo pa parti, unë këtë kam bërë gjatë jetës time politike dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj.

-Si po përgatitet opozita e ardhshme për tu përballur në Kuvend në shtator me mazhorancën e re?
Nuk kemi patur ndonjë takim konkret për të përpiluar ndonjë taktikë apo strategji të caktuar për faktin që akoma nuk është shpallur rezultati zyrtar i zgjedhjeve si edhe të zhvillimeve në PD. Unë personalisht do të mundohem të bej një oponencë konstruktive sidomos në fushën e bujqësisë dhe sporteve, ku kam më shumë eksperiencë, por besoj që në një të ardhme të afërt opozita do të përcaktojë qartë detyrat e secilit në parlamentin e ardhshëm. Sipas meje është shumë e rëndësishme që opozita të jetë e organizuar dhe oponenca të mos i lihet spontanitetit.

-Çfarë do donit të ndryshonte në politikë?
Në politikë ka shumë gjëra që duhen ndryshuar, por unë do të doja të ndryshoja sa më shpejt mënyrën e sjelljes ndaj “kundërshtarit” politik. Të vjen keq që etiketohen njerëzit shpesh sipas interesave politike përsa kohë është aleat me ty i mirë, i ndershëm, i aftë e puntor dhe kur bëhet kundërshtar i keq, hajdut, i paaftë e parazit.

KANDIDIMI, 10 461 VOTAT E DURRESIT QE I DHANE FITOREN DUKES
Agron Duka zgjodhi aleatin më të madh të Berishës, Fatmir Mediun, ku nën siglën e Partisë Republikane arriti që të fitonte mandatin e deputetit. Duka, ish-ministër i qeverisë ‘Nano” si dhe një biznesmenë i njohur ka arritur që të marrë plotë 10.461 vota nga 444 qendra të votimi që kishte gjithsej qarku i Durrësit ku kandidoi. Shkëputja e Dukës nga PS-ja erdhi si rezultat i mospërfshirjes së tij në listat e PS për deputet në këtë qark. Ndërkohë që ai ka kontribuar edhe në përgatitjen e programit të PS për bujqësinë.

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 01.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës