Sipas dëshmitarëve, Vrenozi u ndodh rastësisht para dyqanit që ia kishte lënë me qera Gëzim Hoxhës, të afërmit të tij që e përdorte për veprimtari të Këmbimit valuator. Pak minuta para ngjarjes, 53-vjeçari kishte dalë si çdo ditë nga banesa e tij në katin lart pikës së këmbimit valutor për të blerë bukë. Gjatë kthimit në shtëpi, ai kishte parë tre grabitësit që duke kërcënuar të plagosurin tjetër Gëzim Hoxha po merrnin paratë e xhiros.
Në këtë moment Agur Vrenozi ka marrë një karrige nga shitësja e bananeve aty ngjitur, ka bllokuar derën e xhamit dhe ka kërkuar nga kalimtarët e rastit që të njoftonin policinë. Përpos rezistencës së tij, dy grabitësit kanë arritur të hapin derën dhe njëri prej tyre ka qëlluar 53 vjeçarin dhe më pas kanë ikur me vrap në drejtim të Zogut të Zi në Fier, rruga e Semanit, ku dhe i priste me makinë grabitësi i tretë.
Përball kësaj skene ka reaguar edhe një tjetër qytetar, i cili sipas dëshmitarëve është identifikuar si punonjës policie por që në atë moment ishte civil, por edhe ky nuk ka arritur të pengojë dot largimin e grabitësve të cilët kanë hipur në makinë dhe janë larguar me shpejtësi. Po sipas dëshmitarëve, vetëm pak metra më larg, pranë Shkollës së Mesme “Janaq Kilica” dhe Zogut të Zi ishte e pozicionuar një patrullë policie.
Kjo patrullë, që pozicionohet prej vitesh në atë vend, mësohet se nuk ka reaguar menjëherë pas krismave, por pas njoftimit nga salla operative janë vënë në ndjekje të mjetit “Benz” me targa të falsifikuara që konstatuan se iku me shpejtësi para tyre. Për zbardhjen e skenës së kësaj ngjarje Report Tv kontaktoi edhe me Policinë e Shtetit.
Sipas Policisë, pranë vendit ku ndodhi ngjarja nuk ka pasur patrullë por një efektiv i Policisë Rrugore. Po të njëjtat burime pohuan se Policia e Shtetit është vënë në lëvizje pas telefonatave të qytetarëve në sallën operative duke bërë të mundur edhe arrestimin e autorëve.
Sipas policisë njëri prej autorëve u kap në përpjekje për t'i shpëtuar efektivëve, duke u hedhur në lumin pranë fshatit Baltëz. Pas ndjekjes u kap autori i dytë në vendin e quajtur "Ura e Baltëzës" si edhe autori i tretë në një banesë në fshatin Baltëz. Policia ka sekuestruar çantën me paratë që u vodhën në Exchange.
Në varrimin e Vrenozit ishte i pranishëm edhe Gëzim Hoxha bashke me familjen, por nuk pranoi që të fliste për mediat. Hoxha, pronari i Exchange-t në fjalë kishte mbetur i plagosur gjatë grabitjes, por ka dalë sot nga spitali.
Gjithashtu të pranishme ishin edhe uniformat blu, drejtori i policisë së Fierit, Albert Nushi dhe shumë të afërm e qytetarë të tjerë të cilët i dhanë lamtumirën e fundit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO










