Ahmetaj : Fokusi ynë, rritja e eksporteve, thithja e HDI-ve

TIRANE- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, përcaktoi si drejtime kryesore për rritje ekonomike të qëndrueshme, prodhimin vendas, ringritjen e sektorëve potencialë, si bujqësia, manifaktura, turizmi, tregtia, shërbimet si dhe industria mekanike, energjia, etj.
Fokusi ynë është rritja e eksporteve dhe thithja e investimeve të huaja direkte, tha Ahmetaj i pranishëm në aktivitetin "Albania e Italia, una partnership per l'Europa" në Panelin: Zhvillimi ekonomik dhe integrimi në BE i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, qe u zhvillua sot në Tiranë nga ambasada Italiane ne Tiranë.
Ahmetaj tha se modeli i ri ekonomik në Shqipëri ka filluar të funksionojë, ndërsa u shpreh mes të tjerave se "raporti për ecurinë e ekonomisë në tremujorin e dytë 2014, tregoi se të gjithë këta sektorë me përjashtim të ndërtimit, kanë shënuar rritje. Bujqësia, tregtia, shërbimet, manifaktura, industria nxjerrëse, janë të gjitha në rritje".
Ministri theksoi arritjet në sektorin e manifakturës, pas 9 muajsh nga hartimi i paketës mbështetëse, ku eksportet u rritën me 111 milionë usd më shumë se e njejta periudhë e vitit të kaluar ose 26% rritje, ndërsa quajti kontributin e  sipërmarrjes italiane të  pazëvendësueshëm.
"Sfida jonë tani është të kthejmë performancën e ekonomisë dhe potencialet e saj në rritje të konsoliduar dhe cilësore", tha Ahmetaj. Ai ftoi investitorët italianë që të rrisin investimet në Shqipëri, duke shfytëzuar   burimet  ekonomike, njerëzore dhe natyrore, si pozicioni gjeografik, burimet  natyrore, mosha e re e popullsisë, forca e  kualifikuar punëtore, klima e favorshme e  biznesit dhe avantazhet  konkurruese në rajon.
Ministri Ahmetaj ftoi investimet italiane të bëhen pjesë e projekteve në energjetikë. "Duhet të themi se sektori energjetik është sektori që e ka potencialin të thithë investime të huaja direkte në shuma të konsiderueshme", tha ai. "Qeveria ka një reformë të detajuar për sektorin energjetik", theksoi ai, duke shtuar se  jemi të bindur se duke filluar që nga viti që vjen do të kemi rezultatet pozitive. "Në krye të 5- 7 vitesh sektori energjetik do të ketë lënë pas njëherë e mirë të gjithë atë problematikë, e cila helmon të gjithë ekonominë shqiptare", tha Ahmetaj.
Ministri e konsideroi Italinë si partnerin  kryesor ekonomik në importe dhe eksporte, por dhe në IHD-të.¨Janë gati 1400 kompani italiane, që veprojnë më sukses dhe me integritet të lartë në ekonominë shqiptare, si një pjesë tejet e domosdoshme e ekonomisë shqiptare dhe e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë¨, tha ministri Ahmetaj. /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)