Ahmetaj: Marrëveshja me FMN, s'ka
rritje taksash, as çmimi energjie

Ahmetaj: Marrëveshja me FMN, s'ka<br />rritje taksash, as çmimi energjie
TIRANE- Marrëveshja e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar ndikon në rritjen ekonomike të vendit. Këtë fakt e ka pohuar ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj në një konferencë për shtyp, duke theksuar se kjo marrëveshje nuk shtrëngon shqiptarët, pasi nuk parashikon rritje të taksave, por rritje afatgjatë të ekonomisë. Pas debateve në Parlament ditën e sotme lidhur me marrëveshjen me FMN, ministri Ahmetaj tha se qeveria e kaluar e largoi FMN pasi “Berisha e quajti FMN dëshmitar i rremë”.
 
Ministri Ahmetaj tha se marrëveshja me FMN synon transparencën, ndryshe nga sa ndodhi sipas tij me qeverisjes e kaluar “pasi qeveria e re gjeti 720 mln dollarë borxhe të fshehura.
 
“Marrëveshja me FMN është një nga lajmet më të mira që ka pasur qeveria në 6 muajt e fundit. Një pjesë serioze e marrëveshjes është reflektuar në paketën fiskale që ne kemi kaluar në parlament, që uli taksat për 97 % të shqiptarëve. Në 1 prill hiqet TVSH e medikamenteve. Ne e thirrëm FMN dhe BB në Shqipëri, pasi është e kundërta e asaj për të cilën Berisha e refuzoi, dhe kjo është transparenca. Qeveria Rama kërkoi FMN të bashkohej me në për një rritje afatgjatë të ekonomisë.
 
Kjo marrëveshje nxjerr në dritë të diellit të gjitha problemet e ekonomisë shqiptare, dhe vendos shtylla bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare. Ka filluar një rritje ekonomike, ka filluar një rritje konsumi. Marrëveshja me FMN erdhi si një domosdoshmëri për të mbushur atë gropë që qeveria Rama trashëgoi nga paraardhësi. Berisha e quajti FMN dëshmitar i rremë.
 
FMN në këtë marrëveshje është bashkëpunëtori i qytetarëve shqiptarë në favor të zhvillimit ekonomik. Kjo marrëveshje jo vetëm uli taksat, jo vetëm që nxori në dritë të gjithë problemet e trashëguara në vite, por edhe ndikon në rritjen ekonomike të vendit. Kemi gjetur 720 milionë dollarë borxhe të fshehura. Marrëveshja me FMN është një marrëveshje rritjeje dhe përveç të gjitha reformave të marra nga qeveria shqiptare, ka edhe një injektim serioz në funksion të përmirësimit të ekonomisë.
 
Këtë vit banka Botërore do të injektojë financime për projekte të reja në Shqipëri. Programi garanton se qeveria shqiptare ka besim tek institucionet ndërkombëtare dhe do jetë transparente. Për herë të parë Shqipëria ka marrë një paketë ndihme që nuk i shtrëngon shqiptarët, por injekton ne ekonomi një disiplinë që do jetë në funksion të rritjes ekonomike”, tha ministri Ahmetaj.

Ndërkaq, Ministri Ahmetaj theksoi se marrëveshja nuk parashikon asnjë detyrim për rritje të çmimit të energjisë elektrike, ndërsa u shpreh se qeveria Rama do të mbrojë familjet shqiptare nga rritjet e çmimeve.
 
“Nuk ka asnjë detyrim brenda marrëveshjes që qeveria shqiptare të rritë çmimin e energjisë elektrike. Qeveria Rama do ta mbrojë familjen shqiptare. Do bëjmë të kundërtën e asaj që ka bërë qeveria e Berishës. Do kujdesemi që xhepi i familjeve shqiptare të mos pësojë asnjë humbje. Ne do garantojmë siguri energjetike, dhe familjet shqiptare të mos pësojnë atë që pësuan 8 vite që çmimet rriteshin dita-ditës”, theksoi ministri Ahmetaj.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Britania miraton me shumicë votash ligjin për eutanazinë

Britania miraton me shumicë votash ligjin për eutanazinë