Ahmetaj në Frankfurt:Pas Spitallës
zonë ekonomike në Koplik e Vlorë

Ahmetaj në Frankfurt:Pas Spitallës<br />zonë ekonomike në Koplik e Vlorë
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, mori pjesë në Forumin e biznesit dhe investimeve me investitorë të mëdhenj gjermanë në Frankfurt, takim i organizuar si bashkëpunim i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Deutsche Bank dhe Ambasadës së Shqipërisë në Berlin.

Forumi, që kishte formatin e një dreke pune, u përqendrua tek mundësitë që Shqipëria ofron për investime në shumë sektorë. Duke bërë një prezantim të përgjithshëm të performancës së ekonomisë shqiptare, Ministri përmendi reformat kyçe të ndërmarra në dy vitet e fundit me qëllim stabilizimin makro-ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Ai veçoi përfundimin e bisedimeve të fundit me Misionin e FMN-së, i cili certifikoi dhe njëherë progresin e bërë nga qeveria shqiptare në përmbushjen e objektivave të programit.

Ministri përmendi hartimin e një pakete ligjore që përfshin ligjet për turizmin, investimet strategjike, koncesionet dhe zonat ekonomike të cilat do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në klimën e biznesit dhe investimeve në vend, ndërsa u bëri me dije investitorëve se në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik po punohet për përgatitjen e hartës së zonave me përparësi zhvillimin e turizmit dhe paketën e incentivave për investimet në këtë sektor.

Ndër sektorët e tjerë përveç turizmit, Ahmetaj veçoi energjinë, telekomunikacionet, transportin dhe logjistikën dhe zonat ekonomike për të cilat tha se jemi në procesin e vlerësimit të ofertave për zonën e parë ekonomike në Spitallë, ndërsa së shpejti do të ofrohen dhe dy të tjera në Koplik e Vlorë.

Ky është forumi i dytë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Deutsche Bank organizojnë me investitorët gjermanë pas atij në qershor 2014 në Berlin. Kompani si Statkraft, Intermont, Rheinmetall, HPC Envirotech, Deutsche Telecom etj morën pjesë në drekën e punës në Selinë e Deutsche Bank./atsh

Redaksia online
(S,m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi: Shumica e amerikanëve e shohin rrjetin TikTok si mjet ndikimi nga Kina

Sondazhi: Shumica e amerikanëve e shohin rrjetin TikTok si mjet ndikimi nga Kina