Ahmetaj në Gjirokastër për festimet e 70 vjetorit të çlirimit të qytetit

TIRANË, 18 Shtator/ATSH/.- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj vizitoi sot Gjirokastrën, ku mori pjesë në aktivitetet me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të qytetit.
Aktivitetet e organizuara nga Bashkia Gjirokastër filluan me ekspozitën e 35 piktorëve nga trojet shqiptare, për t'u ndjekur nga parakalimi zyrtar i veteranëve të luftës dhe grupeve të tjera në sheshin "Çerçiz Topulli" të qytetit. Ministri uroi nga afër qytetarët e Gjirokastrës për këtë ditë të veçantë në historinë e qytetit dhe shprehu nderimin e tij për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e qytetit.
"Gjirokastra i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë mendjen, zemrën, vlerat dhe përkushtimin e saj vendit", u shpreh Ahmetaj, ndërsa theksoi se dita e sotme është edhe një moment reflektimi për Qeverinë Shqiptare për atë që mund dhe duhet bërë më mirë. Ministri iu referua rastit të shtresave në nevojë, për të cilat vetëm një ditë më parë Qeveria miratoi një fond prej 43 milionë dollarësh për shlyerjen e të gjitha pagesave të prapambetura ndaj tyre, të mbajtura peng padrejtësisht nga qeveria e mëparshme.
Në kuadër të aktiviteteve të 70-vjetorit të çlirimit u kryen edhe homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, ku u vendosën kurorat me lule në nder të dëshmorëve.Me rastin e festës së çlirimit të qytetit, u çel edhe Panairi Kombëtar lëvizës "Gur mbi gur" i cili është në vazhdën e edicioneve të mëparshme të zhvilluara në Vlorë, Berat, Korçë dhe Shkodër. Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 20 shtator. Janë rreth 52 kompani shqiptare që do të promovojnë produktet "Made in Albania" në shërbim të informimit të konsumatorit, si dhe me qëllim afrimin e biznesit të madh me atë të vogël dhe të mesëm, për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe për të siguruar rritje të shkëmbimeve tregtare brenda vendit.
Po në vazhdën e kësaj nisme, sikurse e bëri me dije edhe Ministri, në 28 Nëntor, Panairi do të ndalet në Prishtinë për promovimin e produkteve "Made in Albania" nën logon "Konsumo shqip"./m.m/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)