Ahmetaj: Qeveria mbështet sipërmarrësit e rinj

TIRANË, 11 Korrik/ATSH-Almarina Gegvataj/- "Sipërmarrësit e rinj janë misionarët e kërcimeve ekonomike nëpërmjet inovacionit, nëpërmjet teknologjisë dhe patentave", deklaroi sot Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,  Arben Ahmetaj, në prezantimin e Programit "Erasmus, promovimi i sipermarrjes tek te rinjte", projekt i përbashkët i Bashkimit Europian dhe Agjensisë së Zhvillimit Rajonal (RDA).
Ky është një program shkëmbimi dhe aftësimi profesional i sipërmarrësve të rinj nga Shqipëria pranë kompanive të mëdha të biznesit në Europë dhe të sipërmarrësve të rinj europianë pranë biznesve shqiptare.
Në kuadër të statusit të vendit kandidat, tha ministri, sipërmarrja e re do të duhet të përgatisë veten për atë konkurrencë që na pret në Bashkimin Europian pasi është një komunitet ekonomik spektakolar në të gjitha elementët: në konkurrencë, inovacionit dhe teknologjisë, të patentave; dimensioni social; shpejtësia e punës etj. Ahmetaj shtoi se në konceptin tim por edhe të qeverisë Rama sipërmarrësit e rinj kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me modelin e ri ekonomik.
Duke iu referuar vetëm shifrave të rritjes së eksporteve të  produktet bujqësore dhe agroindustriale që sipas tij, do të rriten me 22% krahasuar me vitin e kaluar, Ahmetaj theksoi se "ne duhet të rritemi mbi 4.5 apo 5%, do të duhet të rritemi me 6 dhe 7% në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të gëzojnë benefitet e rritjes ekonomike".
Dhe kjo, sipas tij, arrihet vetëm nëpërmjet kërcimeve ekonomike dhe në themel të tyre janë sipërmarrësit e rinj. "Sipërmarrësit e rinj kanë detyrë dhe mision që brenda vetes të sfidojnë sistemin.Shqipëria ka shumë mundësi. Ka shumë shqiptarë nëpër botë, ka shumë shqiptarë brenda vendit dhe ne kemi për detyrë t'i promovojmë, të mos i frenojmë, përkundrazi: çdo inovacion qoftë edhe fare i thjeshtë do duhet ta mbështesim, ta promovojmë dhe ta ngremë në piedestal", tha Ministri i Zhvillimit Ekonomik.
Duke nënvizuar se sipërmarrësit e rinj kanë një mision tjetër për rritjen e dinjitetit ekonomik kombëtar, Ahmetaj shtoi se "çdo inisiativë tjetër e suksesshme e cila nuk është vetëm një inisiativë shqiptare por është edhe një inisiativë e re rajonale, i sjell më shumë dinjitet Shqipërisë".
"Sa me konkurruese, e guximshme, inovative të jetë sipërmarrja, aq më e mirë është jeta e qytetarit; dhe aq më e fortë është struktura e ekonomisë së një vendi dhe aq më e integrueshme do të jetë ekonomia e Shqipërisë qoftë në rajon, qoftë në Bashkimin Europian", përfundoi ministri./a.g/
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)