Prokuroria e posaçme po tenton të zbulojë vend-ndodhjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj përmes postimeve të bëra prej tij në rrjetet sociale pas arratisjes nga Shqipëria në korrik të këtij viti. Burime nga SPAK, bëjnë të ditur se grupi i hetimit i ka nisur letërporosi zyrave qëndrore të kompanisë “Meta” që disponon pronësinë e disa aplikacioneve në rrjetet sociale, për të gjurmuar vendin nga ku logohet ish-numri dy i qeverisë. Arben Ahmetaj besohet se është larguar nga Shqipëria pak muaj më parë, fakt që u bë i ditur në ditët e para të korrikut, kur SPAK dorëzoi në parlament kërkesën për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të tij për dosjen e incineratorëve.

Ahmetaj nuk u paraqit në Kuvend në seancën e këshillit të mandateve dhe imunitetit ndërsa mungoi edhe në seancën plenare të datës 14 korrik kur 117 deputetë dhanë votën pro arrestimit. Vendimi i gjykatës për caktimin e masës së arrestit në mungesë nuk u ekzekutua pasi policia e kërkoi përgjatë një muaji ish-zv.kryeministrin brenda vendit, dhe u ktheu përgjigje prokurorisë se nuk gjeti asnjë gjurmë të tij. Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, deklaroi vend-ndodhjen e klientit të tij ditën e votimit për arrestimin në Parlament, por vend-qëndrimi i ish zyrtarit të lartë nuk është konfirmuar asnjëherë.

Ish-ministri i Financave ka reaguar pesë herë nga rrjetet sociale përgjatë mungesës së tij në shqipëri, postimi i parë ka qenë në 14 korrik me një mesazh drejtuar parlamentit dhe qytetarëve. Postimi i fundit  Ahmetajt është kryer më 12 tetor në orën 12.26, me një reagim për dosjen e dytë të hapur nga SPAk ndaj Ahmetajt, për privatizimin e ish-fabrikës së bukës.

SPAK synon të marrë të dhënat që disponon platforma e rrjetit social e cila regjistron vendndodhjen e përdoruesit në momentin e hyrjes në llogari. Gjatë këtij viti, Shqipëria ka dërguar mesatarisht 60 kërkesa të tilla ndaj kompanisë Meta, ndërsa ka marrë përgjigje për 50% të rasteve.