"Një prodhim fantastik Made in Albania", u shpreh ministri Ahmetaj, duke e konsideruar vizitën në këtë kompani si emocionuese dhe motivuese. Kjo vizitë, tha Ahmetaj, jo rastësisht përkon me iniciativën e qeverisë shqiptare për përfundimin e një pakete masash mbështetëse për sektorin e bujqësisë, agroindustrisë dhe peshkimit.
"Në këtë paketë do të reflektohen edhe sugjerimet e sipërmarrjes, biznesit bujqësor e agroindustrial. Planet e sipërmarrjes janë interesante dhe inkurajuese. Nga mendimet që kemi shkëmbyer edhe me përfaqësuesit e industrisë, besoj jemi gati edhe për mbështetjen nga ana e qeverisë, mbështetje qoftë në instrumente lehtësuese, qoftë në asistencë për tregjet, apo asistencë për sigurimin e burimeve financiare nga bankat apo fonde e investimesh në favor të zgjerimit", u shpreh Ministri Ahmetaj.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes theksoi faktin se shteti shqiptar ende nuk e njeh intensitetin e kësaj industrie dhe ka ardhur koha që kjo industri të promovohet.
"Një nga faktet interesante të kësaj fabrike është se një pjesë e peshkut importohet. Dikush që e dëgjon mund të habitet por, ka ardhur koha që të promovojmë industrinë e peshkut, flotat qoftë modeste, qoftë moderne të gjuetisë së peshkut, në mënyrë që zinxhiri i vlerës të mos jetë më i fragmentuar, por të ketë shtrirje në të gjithë gamën e sipërmarrjes",-tha Ahmetaj.
Duke iu referuar paketës për bujqësinë dhe agroindustrinë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tha se ajo po realizohet në vazhdën e paketës për biznesin fason, për të cilën ministri Ahmetaj theksoi se ka funksionuar më së miri.
"Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2014, theksoi ministri Ahmetaj, eksportet e industrisë fasone janë rritur me mbi 87 milionë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që është rritur konsiderueshëm edhe punësimi në këtë industri".
Kompania që ka vizituar "Ahmetaj" numëron rreth 600 punonjës dhe është e profilizuar në eksportin e prodhimeve të peshkut "Made in Albania", në rreth 23 vende të botës, përfshirë Japoninë dhe të tregje të tjërë të mëdhenj. Ministri Ahmetaj vizitoi ambientet e fabrikës, ku zhvillohen të gjithë proceset e përpunimit dhe ambalazhimit të produkteve. /ATSH/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)
