SHBA - Verdikti i dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të akuzuarit për zhdukjen e Remzi Hoxhës, konsiderohet një drejtësi e vonuar për familjen e tij nga Amnesty International.

Organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut shpreh keqardhjen që vendimi i Gjykatës nuk vuri në vend plotësisht drejtësinë për familjen e Remzi Hoxhës, biznesmenin shqiptar nga Maqedonia, i cili u zhduk në vitin 1995.

Në materialin e publikuar sot nga Amnesty International nënvizohet se 3 të akuzuarit dhe të shpallurit fajtor për këtë akuzë, tashmë janë të lirë.

Ish-agjent i SHIK-u i lartë i Ilir Kumbaro u dënua, në mungesë të tij, me 15 vjet burgim për torturimin e Remzi Hoxhës, fakt që i shkaktoi atij vdekjen. Megjithatë, Ilir Kumbaro mbetet në arrati pasi arriti t’u shmangej procedurave të ekstradimit në dhjetor të 2011.

Dy të panderurit e tjerë Avni Koldashi dhe Arben Sefgjini u gjetën fajtorë për "akte arbitrare" dhe "heqje të lirisë" e megjithatë, meqë këto vepra penale ishin amnistuar në vitin 1997, u vendos të liheshin të lirë.

Pra, nënvizon Amnesy International se rezultati i këtij vendimi është se të gjithë të pandehurit mbeten të lirë.

Amnesty International vëren me shqetësim zvarritjen e procesit gjyqësor në Shqipëri, si dhe shpreh keqardhje që gjykatat dhe autoritetet britanike dështuan për të siguruar ekstradimin e Ilir Kumbaros.


DJALI I REMZI HOXHES: DO I DREJTOHEMI GJYKATAVE NDERKOMBETARE
Pas reagimit të Amnesty International për vendimin e “Dosjes Remzi Hoxha”, përmes skype në TV A1 Report reagon djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, duke thënë se “Amnesty International është një nga organizatat më prestigjioze që mbrojnë drejtësinë në Botë, normalisht ata e kanë vlerësuar rezultatin në Shqipërinë që nuk është afër atij që duhet të ishte. Nuk duhet të jesh eksperti i drejtësisë që të shikosh si është zhvilluar ky proces, pasi ka 17 vite që është i vonuar”.

Hoxha deklaron se çështjen do ta ndjekë deri në gjykatat ndërkombëtare, duke theksuar së vrasësit e babait të tij nuk do t'i shpëtojnë drejtësisë.

“Ne kemi fatin të jemi shqiptar, edhe kanuni është pjesë e mënyrës së jetës sonë. Fillimisht do të kërkojmë që gjerat të zgjidhen në mënyrë demokratike, nëse shteti nuk gjen drejtësi ne do detyrohemi ta marrim në dorë drejtësinë tonë. Do ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare dhe do ta gjejmë këtë drejtësi. Ne kërkojmë të kemi eshtrat dhe të kemi një varr për babanë tim”, u shpreh Ardian Hoxha për A1 Report.

Djali i Remziut ka hedhur dyshime mbi vdekjen e ish-gjyqtarit që ka gjykuar dosjen e babait të tij Xhevat Hana, duke thënë se “kemi dyshime që të ndjerit Hana i është përshpejtuar vdekja, sepse donte me shpirt të zbardhte këtë rast”.

Duke akuzuar edhe njëherë 4 personat përgjegjës për vdekjen e babait të tij, Ardian Hoxha ka theksuar se “ne mendojmë që nuk ka qenë e qëllimshme vdekja e tij por dua të zbardhet e vërteta”.

“Ne e kemi ditur që babanë tim e ka marrë njerëzit e SHIK-ut. Ka qenë një grup i vogël i njerëzve që e kanë ditur arrestimin Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro. Në fakt ne mendojmë që nuk ka qenë e qëllimshme vrasja e tij, por nga torturat që babai t'ua jepte videot, të cilat nuk ka pasur dhe ne nuk kemi dijeni, ata e kanë torturuar aq shumë sa ka ndërruar jetë. Nga paniku janë munduar ta fshehin realitetin dhe prandaj jemi sot në këtë situatë. Nuk kanë ditur ta justifikojnë vrasjen, janë munduar t’i fshehin gjurmët dhe faktet, duke menduar që ne si familje do të tërhiqeshim, por nuk ka ndodhur ashtu”, deklaroi Hoxha për A1 Report.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)