PRISHTINË, 30 Gusht/ATSH-B.Jashari/.- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, organizata Amnesty International i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të kryejnë hetime të shpejta, të pavarura dhe efektive kundër të dyshuarve për zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë, të kryera para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë më 1999.
Amnesty International thekson se dhe 15 vjet pas luftës, rreth 1,700 persona figurojnë të zhdukur, bëri të ditur sot Radio Evropa e Lirë.
Në Kosovë motoja e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur (30 gusht) është "...i kërkojmë të gjallë, nuk po i gjejmë as të vdekur...", me apelin për zbardhjen e fatit të tyre drejtuar të gjitha institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Një nga aktivitetet sot në Kosovë zhvillohet në qytetin e Drenasit, rajoni i Drenicës, për të nderuar personat nga kjo anë të identifikuar kohëve të fundit nga varreza masive në Rudnicë-Serbi, si dhe të gjithë 1700 të zhdukurit e lufës së para 15 viteve, ende të pagjetur./m.m/