Ajo telefonatë për pensionin
që nuk e shijoi dot 

Ajo telefonatë për pensionin<br />që nuk e shijoi dot 
Nuk e di sa forcë do të gjej për të çuar deri në fund këtë shkrim. Nuk është historia e një heroi të famshëm. Eshtë epilogu i jetës së një njeriu të thjeshtë. E një pensionisti shqiptar, që në këndvështrimin tim është historia më e trishtë nga të gjithë moshat e treta në rajon e më gjerë.

Mund të ishte historia e seicilit prej prindërve tanë, të afërmëve tanë që punuan një jetë të tërë për të vënë shumë pak mënjanë për ditët e pleqërisë, ose në shumë raste edhe aspak.

Naim Shehi u shua një javë më parë në moshën 65 vjeç. Prej katër muajsh kishte dalë në pension. Prej pak kohe zbuloi që kishte një sëmundje të rëndë, të pashërueshme, e që mjekët nuk i kishin dhënë shpresë. Naimi, që mbi 40 vite të jetës së tij i kaloi në hekurudhën shqiptare, vdiq duke pritur një lajm të madh: Sa ishte përllogaritur pensioni i tij? Sa do të merrte pas më shumë se 40 viteve punë?

Në të gjitha ditët e vuajtjeve dhe përpjekjes me sëmundjen mbante telefonin e tij të vogël në dorë: Do të më marrin nga zyra e pensioneve. Dhe priste përditë. Çdo orë. Çdo minutë. "Grua kam harruar telefonin në shtëpi - i tha bashkëshortes ndërsa ishte në spital për të marrë mjekimin. - Po çfarë e do të shkretin telefon, tani do të kthehemi", i përgjigjet bashkëshortja. "Pres telefonatën nga zyra e pensioneve". Në fakt ajo telefonatë Naimit i erdhi vetëm pak orë para se të shuhej. "Alo, Naim, pensioni të është llogaritur 22.500. Ta hash me shëndet". "Faleminderit shumë... më falni se nuk kam forcë të flas...". Të afërmit e Naimit benë të pamundurën me të njohur e panjohur që të nxisnin instancat përkatëse që nga ndërmarrja ku kish punuar per të shpejtuar procedurat dhe marrjen e përgjigjes për pensionin që i takonte të dashurit të tyre.  Ai pension, djersa e një jete të tërë që Naimi nuk mundi ta shijojë edhe një muaj të vetëm, nuk duhej lutur t'i vinte, duhej të ishte miresjellja e fundit, që duhet t'i buronte nga zemra çdo burokrati të shtetit. Dhe këtu nis problemi ynë.

Problemi i një administrate (e cilësdo ngjyre qoftë) që nuk sillet me qytetarin e thjeshtë siç duhej të sillej me babain apo nënën e vet në pritje, në radhë. Ndodh periodikisht tek ne, që njerëzit që kanë një pushtet në dorë, cilado zyrë qoftë, cilido dikaster, sillen pa dëshirë, pa vullnet e pa respekt me qytetarin që kanë përballë. Sa më i brishtë të jetë qytetari, pensionist, grua, fëmijë, aq më i fuqishëm duket përballë tij zyrtari i vogël që "të ka në dorë". Shpesh dëgjoj histori të moshuarish që sorollaten për të marrë e shijuar pensionin e tyre të vogël. Për ta marrë atë, duhen gjetur "miq" që të nxisin e të vënë në lëvizje mekanizmat që në shtete të civilizuara ecin vetë.

Pensionistët tanë janë dyfish të lënduar: Me pensionet e tyre të vogla shpesh arrijnë të mbulojnë vetëm ilaçet apo ndonjë kafe. Dhe këtë fundvit prisnin një sajdisje me një shtim më dinjitoz në pagesë, por sidomos, më pak sorollatje për të marrë atë pensionin e vogël që disa prej tyre, ashtu si Naimi, nuk e shijojnë dot. Burokratët e zyrave janë të rinj e të reja që me siguri fëmijët ua mbajnë në të shumtën e rasteve nënat e baballarët e moshuar.

U bëjnë pazarin e i ndihmojnë në punë e detyrat e shumta të shtëpive. A do të jemi më të dashur, më zemërgjerë, më të qeshur e të sajdisur me prindërit tanë që trokasin me aq ndroje e rrallë kërkojnë për t'i ndihmuar?

naim shehi
(Naim Shehu, mbi një gjysmë shekulli shërbeu në Hekurudh Shqiptare. Ai vdiq në moshën 56-vjeçare pa shijuar as pensionin e parë)

Ja ç'thonë kolegët për punën e Naim Shehit

Lajmi i vdekjes së parakohshme dhe të papritur tronditi shumë miq të Naim Shehit. Ja çfarë shkruajtën ata me respekt për këtë njeri të punës. "U nda nga jeta z. Naim Shehi, në moshën 65 vjeç, një vdekje e parakohshme që i pikëlloi të gjithë.

I qetë, i vëmendshëm, i respektuar. Nuk gëzoi as pensionin e parë, ndërsa jeta e tij rrodhi si një udhëtim mbi shina...afro gjysëm shekulli, për t-u ndalur në stacionin e fundit. Ngushëllojmë familjen dhe të afërmit. Iku një njeri i mirë që la pas "pasurinë" model i punës dhe respektit njerëzor.

Kur të bie sirena e lokomotivës, kur të fryjë bilbili i sinjalit për nisje, kur të trokëllijë treni mbi shina, aty është dhe fryma, dora dhe djersa e tij. Naimi jeton në kujtimin tonë të përjetshëm si inspektori etalon i "Hekurudhës Shqiptare". Shkruajnë kolegët e tij që punuan dhe e njohën.


Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar