Kam bërë një punë të mirë sot. I kam dhënë djalit një mësim të mirë, më thotë një shok tek pinim kafenë e mamurllëkut të nesërmen e Vitit të Ri. S’ka tjetër, duhet të përshtatemi, thotë ai, tek nis rrëfimin që çuditërisht nis me një histori të hershme me një kavanoz ajvar dhe djalin.

E di se të pëlqen shumë, thotë ai t’i ketë thënë djalit, tashmë burrë. As sot e kësaj dite ajvarin s’e ndërron me asgjë. Ishe fëmijë atëherë kur, në qershor të 1999-tës, si shumë të tjerë iu bëmë bisht tankeve të NATO-s tek ktheheshim në banesën tonë në Prishtinën e boshatisur.

Si për sherr, pas kaq vitesh, më kujtohet edhe dita kur në banesë u ktheve me një kavanoz ajvar dhe vaji e lotët në faqet tuaja. Ajvari, që do ta mbash mend sa të jesh gjallë, sepse të lëndoi rëndë sedrën fëmijërore.

Më kot përpiqeshe të arsyetohesh dhe ta bindësh mamin se kishe marrë vetëm një ajvar. Një asgjë. Se turma po bartnin me karroca gjithë çka kishte mbetur nga shitorja e madhe ushqimore te “Vojna”, pas tërheqjes së ushtarakëve serbë, poshtë lagjes sonë.

Asnjë arsyetim, asnjë lutje, s’të bëri punë.

Çka bëjnë të tjerët ty s’të intereson. Jo, ktheje! As në shportë të bërllokut mos gabo. Ktheje, atje ku e ke marrë, ishte urdhri që s’la më asnjë opsion. Me lot për faqe, i zënë në atë pozitë si hajdut dhe i lënduar në sedrën fëmijërore, me kavanozin që mund ta kesh mallkuar gjatë, more shkallët teposhtë, thotë ai, tek kujton leksionin të cilin tashmë nuk është as i bindur nëse ishte më i duhuri.

Ndërroje pllakën, djali im, thotë ai të ketë thënë pas kaq vitesh.

E di, por s’bëhet ndryshe. Duhet të ndryshosh. Ke të drejtë, mund edhe të na fajësosh se ndoshta s’të kemi përgatitur për jetë. Por atëherë as ne s’e kemi marrë me mend se kështu po vijnë punët. Drejtësia, dinjiteti, nderi, korrektësia s’qenkan tjetër veç lecka për të fshirë, me nder me thanë... Atë thënien: Të rrimë shtrembër e të flasim drejt, harroje që sot.
Ndërro, sa s’është vonë.

Bëhu pjesë e tyre. Pjesë e kopesë së deleve partiake. Anëtarësohu, a s’po e sheh, se libreza partiake është diploma më e kërkuar.

Afrohu përulësisht. Ule kokën, kokën e përulur, edhe pse mund e glacojnë sorrat, së paku shpata nuk e pret. Gjë s’të kushton, puthadorët edhe ashtu janë në modë. Lëpij pa mëshirë ata që i ke lartë por kafshon pa mëshirë ata që i ke poshtë.
Ndërroje pllakën se nuk jetohet me purri n’gojë.

Mos harro, shkallët e ngritjes shkojnë mbi kokat e atyre poshtë.

Vënia këmbën të dobëtit. S’e kanë thënë kot se qengji i butë thith dy nëna. Andaj fol si qengj, por vepro si ujk. Kur e do puna, përbetohu në atdhe, në shqiptari e broçkulla tjera, por ti këqyr punët tuaja.

Kuptoje një gjë. Të mençurit heshtin, përveç kur e do puna e shefit.

Pse ti të flasësh, le të flasë shefi në emrin tënd. Më në fund, edhe nëse duhet të flasësh, mendo me kokën e tij. Edhe hapin përshtate me ritmin e tyre.

Nëse gabon diçka, bëhu i mençur dhe lënia dikujt këmbët e arushës n’dorë.

Pështyji në fytyrë kundërshtarët e shefit tënd. Vetëm budallenjtë dëshmojnë kundër të fortit.

Në vetëmbrojtje mund edhe të vjedhësh, nga diçka. Më në fund, po e sheh edhe vetë, çka ka të keqe të jesh një nga ata 40 shoqëruesit e Ali Babës. Por, mendjen në krye, bëhu ngjalë kur është puna te ligji.

Shefi e ka mirë edhe kur s’e ka mirë. Shefit duhet t’i flasësh vetëm atë që i tingëllon mirë në veshin e tij.

Për ata që dje ke çuar gishtin, sot çoje grushtin.

Ndërroje pllakën, biri im. Të kërkoj falje edhe për atë kavanozin e ajvarit.

Ideali qenka për të marrët. Bën çka të them unë, jo ç’ kam bërë unë..

Ose, sa s’është bërë shumë vonë, ik nga këtu. Dhe mos e kthe më kokën këndej,- më thotë shoku tek gëlltit kafenë, kaherë të ftohur.

Marrë nga "Zeri"