TIRANE - Aleanca Kuq e Zi kritikoi buxhetin e shtetit për vitin 2013, duke e cilësuar njëherësh si një buxhet elektoral.

Në një deklaratë për mediat, sekretari për Çështjet Ekonomike në Aleancën Kuq e Zi, Dashamir Uruci tha se shifra e miratuar për këtë aksident 410 miliardë lekë pavarësisht se është e lartë lë pa mbështetjen e duhur sektorë të arsimit dhe të shëndetësisë.

“Që në fillim duam të themi se ekzistojnë të gjitha mundësitë që ky buxhet i miratuar tashmë, të krijojë hapësira për t’u trajtuar si buxhet elektoral. Shifra e miratuar është 410 miliardë lekë, një shifër e lartë, por ajo që bie në sy është mbështetja buxhetore, shumë e ulët për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë përkatësisht në vlerën 3 dhe 2 përqind. Të bie në sy numri i lartë, afro 88 mijë punonjës në administratën e fryrë, që do të vazhdojë të marrë rroga duke rënduar arkën e shtetit shqiptar”, deklaroi Uruci.

Në reagimin e saj, AK ka shprehur qëndrim negativ edhe ndaj privatizimeve dhe faktit që sipas saj një shumë e konsiderueshme e privatizimeve mund të përdoret jashtë ligjeve duke kaluar vetëm me vendim qeverie me anashkalim të Parlamentit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)