TIRANE- AKZ prezantoi dje nismën "Për Hapjen e Dosjeve". Kreu Kreshnik Spahiu theksoi se nisma i referohet modelit të ndjekur nga Gjermania dhe se nëse kjo nismë nuk përkrahet nga deputetët dhe Kuvendi atëherë AK do të organizojë një referendum popullor. “Ne kemi marrë një nismë që të kërkojmë ligjërisht hapjen e dosjeve. Është proces në të mirën e politikës dhe popullit shqiptar. Në bashkëpunim me disa forca të djathta politike kemi vendosur të nisim procesin ligjor për hapjen e dosjeve.

Nëse politika nuk do jetë dakord për këtë ne do i drejtohemi popullit me referendum", tha Spahiu. Sipas tij, ligji për hapjen e dosjeve është i vonuar dhe duhet të ishte miratuar dhe vënë në zbatim shumë më herët. “Shqiptarët janë vonuar. Çështje që tregon se treni i integrimit na lë ose në vagonin e fundit ose në atë të mallrave. Në Gjermani fillimisht u hapën dosjet. Populli e kombi shqiptar që doli nga komunizmi me ëndrrën e madhe të integrimit dhe bashkimit e kërkoi që Shqipëria të ishte si Evropa, të kishte një udhëheqje tjetër.

Ajo s’ndodhi ndërruam disa qeveri e disa kuvende por u qeverisëm nga hafije dhe spiunë, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit e agjentë të vendeve fqinjë”, tha kreu i AK. Spahiu theksoi se populli shqiptar duhet të di se kush po e qeveris. Sipas tij në qeveritë shqiptare ka pasur dhe ka deputetë të kërkuar nga Beogradi dhe Athina. "Populli ka të drejtë të njoh se kush e qeverise, populli ka të drejtë të kërkojë informacion për të shkuarën dhe të tashmen e politikanëve dhe zyrtarëve që drejtojnë vendin.

Jetojmë në një shekull të ri e transparenca është themeli i ndërtimit të shtetit por shteti s’mund të qeveriset me duar të pista. Për këto arsye pastërtia e figurës së qeveritarëve është prioritet”, thaai. Sipas tij Shqipëria është i vetmi shtet në Europën Lindore që ka hermetizuar arkivat e mbyllur dosjet. AKZ dhe Lëvizja e të Drejtave të Mohuara do i dorëzojnë Kuvendit projektligjin "Për Hapjen e Dosjeve" sipas një modeli të adoptuar nga Gjermania e viteve 90”, tha Spahiu.

Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)