ATHINE - Bizantinologia me famë botërore, akademikja dhe njëra prej personaliteteve në fushën e mendimit intelektual të Greqisë, Eleni Glikantzi- Arveler në një intervistë dhënë një radioje prestigjioze në kryeqytetin grek, ka komentuar jetën politike, por edhe qëndrimin e shumë politikanëve të njohur grekë, për të cilët ka folur me neveri dhe përçmim.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës së saj e ka zënë edhe kapitulli “Agimi i Artë” për të cilin akademikja e famshme greke, ka thënë se kjo parti, ekzistenca e kësaj trajte naziste jo vetëm në jetën shoqërore, por edhe në jetën politike e parlamentare greke dëshmon për zvetënimin dhe degradimin e kulturës greke, mendimin politik dhe demokratik grek.

“Agimi i Artë është degradimi i çdo lloj kulture dhe qytetërimi grek. Dëshmon për degradimin e vlerave, për të cilat Greqia ka qenë gjithmonë krenare, mikpritjen, tolerancën, demokracisë dhe dashurinë. Tashmë këto lloj vlerash përçudnohen nga kriminelë të zakonshëm, injorantë e të mbushur me urrejtje, të cilët ne i çuam në tempullin e Demokracisë, barazisë e tolerancës. Në parlament, i cili tashmë me hyrjen e nazistëve nuk është më i tillë”...

Eshtë e disajta herë që intelektualë grekë kanë kritikuar hapur jo vetëm hyrjen e Agimit të Artë në parlament, por edhe lejimin e ekzistencës së një trajte të tillë politike, e cila mbjell urrejtje dhe frikë në popull. Për të gjithë intelektualët e vërtetë demokratë grekë është momenti i nxjerrjes së kësaj partie menjëherë jashtë ligjit, pasi ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për ta bërë një hap të tillë.

“Numri i deputetëve për të nxjerrë jashtë ligjit Agimin e Artë mjafton, por a ekziston dëshira e forcave politike për të kryer një veprim të tillë historik?”- pyesin veten intelektualët grekë në shkrimet apo intervistat e tyre.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)