TIRANE- Agjencia e kthimit dhe e kompensimit të pronave duhet të përfundojë brenda një viti njohjen ose refuzimin për 7500 dosjet e mbetura pezull. Presidenti i Republikës ka Dekretuar ligjin mbi ndryshimet në kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndërkohë që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave do të ketë dhe një vit fat për shqyrtimin e dosjeve që “flenë” në sirtarë prej mëse 5 vitesh. Vendimi i Presidentit, duket se do të shmang pezullimin e punës, për shkak se mandati i përfundonte këtë muaj.

Dosjet
Ish-kryeministri Sali Berisha, rreth katër vite më parë, ka theksuar se në AKKP janë rreth 8 mijë dosje që nuk janë shqyrtuar nga komisionet vendore. Ndërkohë që ato u transportuan në Agjencinë Qendrore e cila u kthye në institucionin e vetëm që I shqyrton dhe jep vendim mbi to. Por pavarësisht bujës së madhe për mbylljen e këtij kapitulli, duke vendosur dhe afate, në AKKP nuk u arrit të shqyrtoheshin më shumë se 500 dosje në katër vite. Ndërkohë që në qershor 2014, AKKP me ligj duhet të pushonte së ekzistuari. Ndaj dhe u propozua shtyrja e afatit në mënyrë që AKKP, këtë herë e drejtuar nga mazhoranca socialiste të ketë kohë të përfundojë kërkesat e mbetura.

Fondi i kompensimit
AKKP do të ketë tashmë një vit kohë për të mbyllur njohjen e pronave. Por se afati për kompensimin financiar do të mbetet i hapur. Po ashtu brenda një viti AKKP do të duhet të ketë në dispozicion dhe hartën e plotë të tokave që kanë mbetur të lira. Madje sipërfaqet që do të vihen në dispozicion do të duhet të verifikohen nëse janë apo jo të lira.

Pretendimi
Nga të dhënat e AKKP është bërë publik fakti se janë rreth 50 mijë hektarë tokë e pa kthyer. Këtu nuk janë përfshirë 7500 dosjet që janë pa u shqyrtuar ende nga AKKP. Si dhe nuk është llogaritur se sa është numri i pronarëve që mund të paraqesë dosjen nga e para. Këta të fundit kanë të drejtën të kërkojnë njohjen e pronës, vetëm pasi t’u kalojë procesi për vendosjen në afat prej gjykatave.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)