Aksi Shkodër-Murriqan, Rama: I rindërtuar me standarde të larta, produkt jo i grabitjeve dhe gallatave

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të premte segmentin rrugor Shkodër-Murriqan, pas rindërtimit me vlerë afro 1.5 milionë euro. Rama tha se aksi prej 12 kilometrash nuk është më një rrugë e degraduar sikurse shfaqej katër muaj më parë, pasi Programi Kombëtar për Infrastrukturën po vendos standarde të larta në mirëmbajtjen e rrugëve.

Programi Kombëtar i mirëmbajtjes, për herë të parë është program mirëmbajtjeje, se deri dje ka qenë program grabitjeje dhe program gallate. Absolutisht s’ka pasur mirëmbajtje rrugësh, por vetëm hidh pluhur sipër dhe ik. Pas kësaj do të jetë shumë më e qartë dhe shumë e lehtë për të vazhduar për të mirëmbajtur mbi këtë bazë, se është ndërtuar me standarde të larta dhe faktikisht është një mirëmbajte e thellë. Ky është rindërtim rruge, nuk është mirëmbajtje, në kuptimin që u hap një gropë dhe u vu një shtresë

Edi Rama, Kryeministër

Rama u shpreh më tutje se ky program është mirëpritur edhe nga Banka Botërore. “Me Bankën Botërore që financojnë një pjesë të programit, ne patëm një takim dhe u shprehën me nota superlative për programin dhe për mënyrën se si është i gjithi i ndërtuar. Se nuk është thjesht çështja e financimit, se në këtë histori për 30 vjet nuk është se kanë munguar lekët, thjesht, këtu ka munguar komplet e gjithë mënyra e konceptimit dhe e organizmit ”, tha Rama, duke shtuar se programet e mirëmbajtjes në të gjithë rajonin kanë qenë për një kohë të gjatë dështime spektakolare.

Për rindërtimin e segmentit rrugor Shkodër-Murriqan, kreu i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro u shpreh se tashmë drejtuesve të mjeteve iu është shkurtuar gjysma e kohës.

Është një aks gati 12 km nga Shkodra në Murriqan, i cili i është nënshtruar programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin. Është rehabilitimi i shtresave komplet, sidomos sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, plus veprave të artit, se kjo rrugë ka qenë problem me tubinat, me kanalet anësore, një histori 25-vjeçare e pavënë dorë. Ka qenë në gjendje shumë të keqe. Nëse sot përshkohet për 40-45 minuta, për shkak të shpejtësisë së ulët që ka si aks, këtë e bëje për një orë e gjysmë, vetëm nga cilësia që ka pasur rruga.

Afrim Qendro, Kreu i Autoritetit Rrugor

Kurse zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli theksoi se ky projekt është ndërmarrë duke patur parasysh sigurinë rrugore. “Ishte parashikuar të bëhej për 6 muaj, është bërë gati për 4 muaj. Ka një risi të madhe sa i përket elementëve dhe standardit. Ky është standardi që duam të arrijmë me mirëmbajtjen e rrugëve, gjë që nuk ka ndodhur më përpara”, tha ai, duke u shprehur më tej se “për fat të keq ka pasur një regjistër negativ edhe në humbje jetësh, por edhe në plagosje e në humbje të pasurisë së njerëzve”. Ndërkaq, Qendro e informoi kryeministrin edhe në lidhje me ecurinë e ndërhyrjeve të tjera infrastrukturore në qarkun e Shkodrës.

"Ne kemi mbaruar në Shkodër edhe rrugën Mergushë-Mjedë, e cila i është nënshtruar një përmirësimi të plotë, ose plotësimit të elementëve të sigurisë rrugore. Edhe atje është bërë një investim gati 500 mijë euro, është e mbaruar dhe po vazhdojmë e jemi në përfundim për të gjithë rehabilitimin dhe ndërhyrjet që kemi në rrugën e Tamarës dhe drejt përfundimit segmentin nga Gurrë i Zi deri në Mjedë. Ndërkohë projektet kanë mbaruar dhe ne presim brenda pak ditëve, të fillojmë më në fund, edhe nga Mjeda deri në Fushë-Arrëz, që do të thotë se pjesa më e madhe e projekteve rehabilituese në qarkun e Shkodrës mbaroi", tha Qendro, duke shtuar se ka përfunduar dhe ndërhyrja në aksin Lezhë-Shëngjin.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë