Dita e hënë ka nisur me aksidente të përgjakshme në rrugët e vendi duke shënuar 2 të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Një aksident ka ndodhur në Lezhë, ku humbi jetën drejtuesi i mjetit dhe një aksident në Fier-Lushnje ku drejtuesi i një biçiklete u përplas për vdekje. Gjithashtu në Lushnje i aksidentuar rëndë mbeti drejtuesi i një mjeti bujqësor.

Një aksident ka ndodhur në zonën Gorre në Lushnje, duke shkaktua një të plagosur, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Në aksident janë përfshirë 3 mjete, mes tyre një frezë, makinë bujqësore, që mendohet të ketë qenë dhe shkaku i aksidentit. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e së hënës në orën 08:20 në autostradën Lushnjë-Fier. Një mjet bujqësor tip freze që lëvizte në autostradë është goditur nga një kamionçinë tip Benz me targa AA 461DY e ngarkuar me bidonë qumështi dhe kjo fundit u godit nga mjeti tip Benz me targa AA 256 FP.

Si pasojë e aksidentit zinxhir, mjeti bujqësor dhe kamionçina kanë përfunduar jashtë rruge në kanal, duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e mjetit bujqësor 40-vjeçarin Dritan Pina.

I plagosuri është dërguar në spitalin rajonal të Lushnjes, ndërsa polica ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të aksidentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
U godit nga një mjet në autostradën Fier-Lushnje, ndërron jetë personi që udhëtonte me biçikletë

Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në autostradën Fier-Lushnje. Një mjet tip golf ka goditur një person i cili udhëtonte me biçikletë, duke sjellë për pasojë humbjen e jetës së këtij të fundit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45, në aksin rrugor Lushnje-Fier, në afërsi të vendit të quajtur "Pushimi i shoferit".

Edhe pse i aksidentuari u dërgua menjëherë në spitalin e Lushnjës nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagëve të marra, të cilat i kanë kushtuar jetën. Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se drejtuesi i mjetit, i identifikuar me inicialet A.D.,  është shoqëruar në Komisariat, e ndërsa po punohet për identifikimin e viktimës.

Ora 09:07
Makina del nga rruga në Lezhë, humb jetën drejtuesi

Një aksident ka ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në aksin rrugor Lezhë-Milot, në afërsi të një pike karburanti.

Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, duke humbur jetën. Aksidenti ka rezultuar tragjik për drejtuein e mjetit Tonin Karaçi, 39 vjeç, nga Tale e Lezhës. 

Nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa policia vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.