Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një 39-vjeçareje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me autostradën Levan-Tepelenë.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, por edhe atyre zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë, një autoveturë tip “Kia” që drejtohej nga një 39-vjeçare, e identifikuar si Nertila Abazaj, ka dalë nga rruga e fshatit Varibop për të hyrë në autostradën Levan-Tepelenë.

Në momentin e hyrjes në autostradë, automjeti i saj është përplasur nga një furgon që po qarkullonte në këtë aks rrugor.

Si pasojë e goditjes së fortë, 39-vjeçarja ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi Pëllumb Muska dhe pasagjeri Sadik Rama që ndodheshin në fugon janë transportuar drejt spitalit rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe patrulla e qarkullimit rrugor për të normalizuar lëvizjen e automjeteve në këtë segment. Gjithashtu, janë thirrur edhe shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga automjeti.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Aksidentoi për vdekje 39-vjeçaren, arrestohet drejtuesi i mjetit

57-vjeçari Pëllumb Muska, i cili drejtonte mjetin që aksidentoi një ditë më parë 39-vjeçaren Nertila Abazaj në aksin Levan-Tepelenë, është arrestuar. Mbi të rëndon akuza “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", me pasojë vdekjen.

Ai dhe pasagjeri në makinën e tij, Sadik Rama janë ende në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ndodhi të dielën në kryqëzimin që lidh fshatin Varibop me autostradën Levan-Tepelenë.

Automjeti i Abazajt doli nga rruga për të hyrë në autostradë dhe menjëherë është plagosur nga një furgon. 39-vjeçarja humbi jetën në vendngjarje.