Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Peqin, pranë fshatit Pajovë.

Mësohet se janë përplasur dy automjete, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.

Një prej tyre, një grua, e cila kishte marrë dëmtime të rënda, u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ka ndërruar jetë.

Ndërkohë në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca dhe policia, ku po zbardhen shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:20, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin A. B., 47 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Mazda”, me drejtues shtetasin R. Xh., rreth 70 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në spital shtetasja D. Xh., rreth 70 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin R. Xh.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesit e të dy mjeteve, si dhe pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.