ITALI- Një aksident i rëndë i ka marrë jetën një të riu shqiptar në Itali. Petrit Jashari, 22-vjeç vdiq pasi humbi kontrollin e kamionit që drejtonte. Mjeti u përplas me barrierat mbrojtëse të rrugës, e për pasojë 22-vjeçari ra nga kabina e kamionit duke përfunduar në lumin Burano. Zjarrfikësit arritën në vendin e aksidentit, por i riu kishte ndërruar jetë.
Paraprakisht dyshohet se ai ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të lagështisë në rrugë. 22-vjeçari ishte duke transportuar disa mallra që i përkisnin biznesit të familjes.
Jashari jetonte në Magione me familjen e tij. Ai njihej edhe si futbollist, pasi kishte luajtur si portier në radhët e të rinjve të Gubbio, Siena dhe Arezzo.