Gjirokastër-  Një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën në një aksident tragjik në aksin nacional Memaliaj-Mallakastër pranë kthesës së ish-minierës së qymyrgurit.

Dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin, një Range Rover me targa shqiptare AB700SF dhe një Mercedez-Benz me targa ukrainase, në të cilin udhëtonin dy të rinj nga Ukraina.

Nga përplasja, humbi jetën i mituri banor i fshatit Kalivaç në Memaliaj dhe mbetën të lënduar 4 të tjerë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Mësohet se vogëlushi që humbi jetën ishte pasagjer në një prej mjeteve që u përplasën, teksa udhëtonte me dy prindërit e tij, që gjithshtu u dëmtuan, por pa rrezik jete.

Policia bëri me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 14:30.

“Në segmentin Tepelenë-Krahës, në vendin e quajtur “Kthesa e Luftinjës”, automjeti me drejtues shtetasin B. D., banues në fshatin Kalivaç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën rrugës për në spital një i mitur rreth 7 vjeç (djali i çiftit B. D. dhe S. D., të cilët janë dëmtuar lehtë). Gjithashtu, kanë pësuar dëmtime të lehta shtetasi V. T. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin me të. Të dy po marrin ndihmë mjekësore në spital”, tha policia vendore.

Policia nisi hetimet për shkaqet e aksidentit, por paraprakisht besohet se të dy automjetet kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor.