TIRANË- Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të diel në rrugën e Elbasanit në Tiranë, pranë Fakultetit Ekonomik ku është përmbysur një autobus i linjës së Lundrës me shofer Gentjan Qosjen. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema raporton se si pasojë e aksidentit janë tre persona të dëmtuar lehtë pa rrezik për jetën të cilët po mjekohen si dhe 4 të tjerë me gërvishtje të vogla. Mësohet se shkak i aksidentit ka qenë përplasja e autobusit të linjës së Lundrës me dy mjete.

Të plagosurit ishin duke udhëtuar nga Krraba drejt Tiranës me autobusin e linjës së Lundrës. Njëri prej mjeteve ka qenë i parkuar anës rrugës gjatë kohës kur ndodhi përplasja. Si pasojë e aksidentit është bllokuar një prej akseve që të çon në kryeqytet. Policia sqaron se shkak i aksidentit, ka qenë humbja e kontrollit të shoferit të autobusit Gentjan Qosja, çka shkaktoi daljen nga rruga dhe përmbysjen e tij.

Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës dhe shërbimet e Policisë. Gjithashtu uniformat blu bejne me dije se nga komunikimi që kemi pasur me shoferin e mjetit na ka rrëfyer se ishte nën regjim agjërimi dhe nuk është ndjerë mirë, duke pasur një debulesë, gjë që ka shkaktuar edhe aksidentin.

Ndërkohë që nga të dhënat që janë siguruar në terren rezulton se automjetet ka qenë brenda normave të lejuara të shpejtësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:18
VIDEO/ Mjetet të bëra copash, dalin pamjet nga aksidenti në Tiranë! Autobusi i kthyer përmbys

 

Report Tv ka siguruar pamjet nga aksidenti i rëndë në Tiranë të ndodhur pak minuta më herët, i cili për fat nuk ka pasur viktima. Si pasojë e përplasjes së autobusit me 2 mjete në rrugën e Elbasanit në Tiranë, makinat janë bërë copash. Ende nuk dihet nëse ka qenë shpejtësia e lartë apo humbja e kontrollit nga ana e shoferëve shkaku kryesor i aksidentit të ndodhur këtë të dielë.