TIRANË- Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrethrrotullimin e TEG-ut, ku një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, një mjet i tonazhit të rëndë, pompë betoni, ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga mbikalimi në aksin e poshtëm të autostradës.
Sipas dinamikës fillestare të ngjarjes, kamioni po lëvizte në Unazën Lindore, nga Farka në drejtim të rrethrrotullimit të TEG-ut. Në momentin që është afruar te rrethrrotullimi, ku duhej të ndalonte për t'u dhënë përparësi mjeteve të tjera, nuk ka ndaluar. Më pas është përplasur me një automjet tip "Audi", të cilin e ka marrë përpara për dhjetëra metra, ndërsa më pas ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit. Në asfalt duken edhe shenjat e frenimit.
Policia bën me dije se nga aksidenti njëri prej personave që udhëtonte në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas njoftimit zyrtar, të dy personat që ndodheshin në kamion janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i kamionit apo personi që ndodhet në spital.
Ndërkohë, automjeti "Audi" është shkatërruar plotësisht. Drejtuesi i tij, 28 vjeçari me inicialet R. N.,është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Aksidenti ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh në hyrje të Saukut dhe në drejtim të Elbasanit. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Lajmi në përditësim
Policia ka dhënë detaje paraprake për aksidentin e rëndë të ndodhur te rrethrrotullimi i TEG-ut. Sipas saj, rreth orës 16:20 një kamion pompë betoni është përplasur me një automjet, më pas ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit TEG–Elbasan. Si pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa tjetri ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Policia bën me dije se të dy janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i kamionit apo pasagjeri. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, 28-vjeçari me iniciale R. N., ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Rreth orës 16:20, te rrethrrotullimi i TEG-ut, një kamion (pompë betoni) është përplasur me një automjet. Si pasojë e përplasjes, kamioni (pompë betoni) ka çarë barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ka rënë në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit. Për pasojë, njëri prej personave që udhëtonte në kamion (pompë betoni) dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy personat që ndodheshin në kamion (pompë betoni) janë ende të paidentifikuar dhe po punohet për përcaktimin nëse personi që ka humbur jetën në vendngjarje ishte drejtuesi i kamionit apo ishte personi që ndodhet në spital. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Komente










