Tre automjete janë përfshirë në një aksident të rëndë në rrugën nacionale Lushnje-Berat në afërsi të Kashtbardhës.

Drejtuesja e ‘Fiat’-it, Edisela Shehaj, konfirmon se mjeti tip ‘Benz’ ku në timon ndodhej Neshat Hoxha, po e parakalonte në korsinë në drejtim të Lushnjes dhe më pas është përplasur ‘kokë më kokë’ me ‘Ford’-in i cili ka rënë në kanalin përbri rrugës.

Si pasojë janë lënduar shoferi i ‘Ford’-it, Elmas Plaku dhe pasagjerja, Anxhela Plaku, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 59-vjeçari është dërguar te ‘Trauma’ për ndihmë të specializuar.

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:45, në aksin rrugor “Lushnjë-Berat”, automjeti tip “Mercedez-Benz”, me drejtues shtetasin N. H., 33 vjeç, është përfshirë në një aksident rrugor, me automjetin tip “Fiat”, me drejtues shtetasen E. Sh., 28 vjeçe, si dhe me automjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin E. P., 59 vjeç.

Si pasojë e aksidentit rrugor, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Ford”, shtetasi E. P., i cili, për shkak të gjendjes shëndetësore, do të transportohet në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore të specializuar, si dhe pasagjerja që ndodhej në këtë automjet, shtetasja A. P., 19 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore, për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.