Aksidentimi i një 16-vjeçar me inicialet K.K rreth orës 14:40 në segmentin  Burrel - Klos në vendin e quajtur Shkëmbi i Butë është bërë shkak për polemika mes policisë edhe Partisë Demokratike.
 
Kjo e fundit përmes deputetit të Dibrës, Bedri Hoxha ka akuzuar eskortën e kryeministrit Rama si shkaktare e aksidentit.
 
Pak orë më pas ka reaguar zyrtarisht edhe policia e shtetit duke sqaruar rrethanat e aksidentit dhe duke theksuar se eskorta e Kryeministrit nuk kishte të bënte fare me ngjarjen.
 
Sipas policisë kur ka ndodhur aksidenti, eskorta që po shoqëronte kryeministrin Rama  kanë qenë në një segment tjetër rrugor, në drejtimin  Peshkopi - Bulqizë dhe në orën  kur ka ndodhur ngjarja, ndodhej pranë Bulqizës.
 
 
Reagimi i plotë i Policisë së shtetit në lidhje me aksidentin 
Policia e Shtetit sqaron opinionin publik se rreth orës 14.40, në segmentin  Burrel - Klos në vendin e quajtur Shkëmbi i Butë është aksidentuar me motoçikletë 125 Cm3 shtetasi K. K. 16 vjeç,  i pa pajisur me leje  drejtimi, i cili  ka humbur kontrollin dhe ka rënë në kanal duke u dëmtuar lehtë.
 
Nga shërbimet e Policisë Rrugore të cilat ishin të planifikuara me shërbim në këtë aks, i është dhënë ndihma e parë duke e dërguar në spitalin e Burrelit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me pretendim e ngritur nga subjekti politik Partia Demokratike dhe deputeti i qarkut Dibër i subjektit politik Partia Demokratike se  adoleshenti është aksidentuar nga eskorta shoqëruese e Kryeministrit , sqarojmë se :
 
Gjatë kohës kur ka ndodhur aksidenti,  shërbimet e eskortimit dhe  Garda e Republikës kanë qenë duke shoqëruar Kryeministrin në një segment tjetër rrugor, në drejtimin  Peshkopi - Bulqizë dhe në orën  kur ka ndodhur aksidenti, eskorta e Kryeministrit ndodhej afër  Bulqizës.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)