SHKODER - Një 19 vjeçar nga shteti fqinj i Malit të Zi humbi jetën në një aksident automobilistik në autostradën Lezhë- Shkodër, në Kryebushat pranë kthesës së Mjedës. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të së martës, rreth orës 00:45 kur 19 vjeçari Altin Kurti, djali i xhaxhait të liderit te Vetëvendosjes ne Kosove Albin Kurti, po kthehej  nga Tirana. Në Kryebushat i riu humbi kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga.

Nga përplasja e automjetit tip Golf 5 me pjesën anësore të rrugës 19 vjeçari pësoi dëmtime të shumta. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata të cilët i kanë dhënë ndihmën e pare 19- vjeçarit Kurti dhe e kanë dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jete 19- vjeçari Altin Kurti ka humbur jetën nga hemoragjia për shkak të dëmtime te shumta në trup.

Policia tha se ka ngritur grupin hetimor me eksperte për te zbardhur këtë aksident, ndërsa efektivët e policisë rrugore bëjnë të ditur se në momentin e humbjes së kontrollit i riu ka qenë duke parakaluar dy automjete me një shpejtësi prej afro 100 km në ore, mbi normën e lejuar, ku në këtë pjesë të rrugës parakalimi është i ndaluar. Makina pasi ka dalë nga rruga ka bërë disa rrotullime të cilat kanë qenë fatale për të riun.

Pasi është dërguar në spital trupi i të riut qëndroi për disa orë në morgun e spitalit të Shkodrës deri në njoftimin e të afërmve të tij të cilët erdhën nga shteti fqinj i Malit të Zi për të tërhequr trupin e pajetë.
(e.n/b.m/shqiptarja.com)