FIER- Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Fier-Roskovec, në vendin e quajtur ‘Kthesa e Verbasit.
Dy automjete janë përplasur me njëra- tjetrën dhe për pasojë kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit dhe 4 pasagjerët që udhëtonin me ta.
Ata janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti.
"Rreth orës 09:00, në fshatin Verbas, automjeti me drejtues shtetasin J. V., 18 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin F. S., dhe për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit dhe katër pasagjerë, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve", informon policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Komente







