Një aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm (9 dhjetor 2024) në aksin Lushnjë-Rrogozhinë. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 08:20 midis rrethrrotullimit të Plugut dhe Savrës.
Abdyl Ferhati banor i zonës ka tentuar të kalojë nga ana tjetër e autostradës duke kaluar mbi trafikndarës dhe jo të përdorë shkallët e mbikalimit. Teksa po kalonte u përplas për vdekje nga 27 vjeçari, Haris Faslliaj. I moshuari humbi jetën në vendngjarje pas plagëve të marra. Ndërkohë drejtuesi mjetit Haris Faslliaj u shoqërua në komisariat.
"Rreth orës 08:20, në aksin rrugor "Lushnjë-Rrogozhinë", shtetasi H. F., 27 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. F., 79 vjeç.
Si pasojë e përplasjes shtetasi Abdyl Ferhati ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi Haris Faslliaj , u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme", informoi sot policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Mbikalimi i këmbësorëve që ndodhet në këtë vend është i dëmtuar dhe për pasojë banorët detyrohen të kalojnë në rrugën kryesore duke rrezikuar jetën.