ELBASAN- Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në Prrenjas. Në aksident janë përfshirë një makinë dhe një autobus, ndërsa 6 persona kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas. Autobusi i cili drejtohej nga 51-vjeçari Ilir Alla, është përplasur me makinën tip ‘Benz’, e cila drejtohej nga 28-vjeçari Indrit Mahmutllari. Si pasojë e aksidentit janë plagosur drejtuesi i ‘Benzit’ dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të.
Një prej të plagosurve është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar. Katër të plagosurit e tjerë janë në spitalin e Elbasanit, ndërsa një ka lënë spitalin.
Report Tv ka siguruar edhe video pas aksidentit, ku mjeti duket totalisht i shkrumbuar. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të përcaktuar shkakun.
Të plagosurit duke u transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës
Makina e shkrumbuar nga flakët
Dy prej të plagosurve nga aksidenti i rëndë në rrugën Qafë Thanë-Prrenjas, janë transportuar me helikopter drejt Traumës për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
"Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë - Prrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec - Prrenjas, është përplasur me automjetin tip "Benz", që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit. Si pasojë e aksidentit automjeti tip "Benz" është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit", njofton policia.
Një mjet u përplas me një autobus në Prrenjas dhe më pas shpërthyer në flakë. Report Tv sjell video nga vendi ku ndodhi aksidenti, ndërsa vihet re se makina është shkrumbuar totalisht. Si pasojë e aksidentit, 2 persona janë plagosur rëndë, ndërsa 3 të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.