Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në aksin rrugor Radhimë-Orikum.

Burime për Report TV bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pranë portit të Jahteve, ku një mjet i llojit ‘Benz’ ka dal nga rruga.

Mësohet se shkak për aksidentin ka qënë shpejtësia e lartë e mjetit ‘Benz’ në kthesën që të dërgon drejt Orikumit.

Mjeti ‘Benz’ ka goditur fillimisht një bordure anësore betoni. Ka qënë aq shpejtë sa ka fluturuar përtej bordurës, drejt një kanali kullues që ishte aty pranë.

Mjeti ‘Benz’ më pas ka goditur murin anësor të portit të Jahteve. Si rrjedhojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy persona.

Të plagosur janë drejtuesja e mjetit me inicialet K.S si dhe një 16-vjecar me iniciale D.M. Të dy janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës dhe fatmirësisht raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.