Një aksident rrugor është regjistruar sot në autostradën LushnjëRrogozhinë, pranë rrethrrotullimit të Grabjanit, ku dy mjete janë përfshirë në një përplasje të fortë. Si pasojë e goditjes nga pas, një automjet tip Ford ka marrë flakë.

Mjeti Ford është goditur nga një BMW X5, ndërsa menjëherë pas përplasjes ka shpërthyer në zjarr. Në vendngjarje kanë mbërritur shpejt forcat zjarrfikëse të Lushnjës, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.

Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar nga aksidenti. Sipas zjarrfikësve, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë në baterinë e automjetit Ford, e ndjekur nga çarja e tubave të gazit që ka favorizuar përhapjen e flakëve.

Policia rrugore ndodhet në vendngjarje, ku po dokumenton rastin dhe po menaxhon trafikun, i cili u rëndua për disa minuta. Ndërkohë, po punohet edhe për pastrimin e autostradës nga mbetjet e zjarrit dhe të përplasjes.